TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ish-deputeti i PD, Belind Këlliçi i ka bërë thirrje sot kreut të SPAK, Altin Dumani që të nisë hetimet për vjedhjen e sistemit TIMS.
Në një dalje për mediat, Këlliçi ka theksuar se Edi Rama nuk e lejon opozitën që të hetojë këtë çështje, ndaj i takon SPAK të zbardhe këtë të vërtetë dhe të çojë para drejtësisë zyrtarët që kanë abuzuar.
“I bëjmë thirrje drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, që në kushtet kur opozitës i është bllokuar mundësia nga Edi Rama, për ngritjen e komisionit hetimor për hetimin për vjedhjen e sistemit TIMS, të nisë menjëherë hetimet kryesisht për këtë mega skandal, duke çuar përpara drejtesisë këdo individ, që ka cënuar jo vetëm prokurorët apo qytetarët e zakonshëm, por mbi të gjitha ata individë apo zyrtarë, që kanë cenuar sigurinë tonë kombëtare dhe partneritetin tonë me aleatët strategjike.
Ndërkohë rikujtojmë qytetarët shqiptarë, se edhe këtë javë kemi depozituar fakte e prova të reja pranë SPAK, kemi depozituar dokumente shtetërore me firmën e zyrtarëve qeveritarë, të cilat faktojnë në mënyrë të pamohueshme rolin kryesor të Bashkisë Tiranë dhe Erion Veliajt, në aferën korruptive të shekullit, atë të Inceneratorit fantazmë të Tiranës", tha Këlliçi.
DEKLARATA E ANËTARIT TË KRYESISË SË PD, BELIND KËLLIÇI:
Jemi sot sërish para jush për t’ju rikthyer në vëmendje faktin se tashmë prej disa muajsh, hetimet për dosjen e Inceneratorit të Tiranës, vijojnë të mbeten pezull dhe pa autorin real i cili quhet Erion Veliaj.
Nga kjo foltore ju kemi vënë në dijeni për prova dhe fakte që Erion Veliaj është pronari real i Inceneratorit të Tiranës dhe menaxher të kësaj ndërmarrje korruptive, ai ka vendosur Mirel Mertirin dhe Klodian Zoton.
Gjatë intervistës së dhënë për SYRI TV muajin e shkuar, Mirel Mertiri bëri publik kallëzimin që kishte depozituar pranë SPAK, ndaj prokurorit Klodian Braho. Bashkëlidhur me kallëzimin, Mirel Mertiri kishte vendosur disa dokumente, ku më i rëndësishmi prej tyre, ishin të dhënat e sistemit TIMS, për këtë prokuror.
Vetëm ky fakt, do duhej të kishte tronditur institucionet e shtetit shqiptar, se si është e mundur që një i kërkuar ndërkombëtarisht nga drejtësia shqiptare, për vjedhjen e qindra miliona eurove nga buxheti i shtetit, kishte në posedim të dhëna sensitive për një prokuror të SPAK.
Të mos harrojmë se në muajin Gusht, të vitit 2023, është bërë publik fakti se sistemi TIMS është vjedhur, pikërisht në momentin që Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, emëroi patronazhistët e tij në krye të strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Pyetja që lind natyrshëm është se kush është personi që i ka dhënë shtetasit në kërkim ndërkombëtar, Mirel Mërtiri, të dhënat e sistemit TIMS.
Ja ka dhënë vetë Taulant Balla apo shefi i tij në Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj?
Partia Demokratike e Shqipërisë, vërtetë ka kritikuar dhe do vijojë të kërkojë çdo ditë hetime të plota, të pa anshme dhe efikase nga organi i akuzës, por kurrsesi nuk mund të pranojë shantazhet dhe presionet që i bëhen nga ky shtet i kriminalizuar dhe korruptuar në çdo qelizë, prokurorëve të cilët kanë në hetim dosjet që lidhen me skandalet e institucionit më të korruptuar sot në Shqipëri, Bashkisë Tiranë.
Kujtojmë këtu se është pikërisht ky prokuror, i cili ka në hetim dosjen famoze 5D, të drejtorëve të korruptuar të bashkisë, me në krye Mariglen Qaton, i cili pritet të jetë shumë shpejt kurbani i rradhës, njëlloj si Taulant Tusha, për të shpëtuar lëkurën e Erion Veliajt.
I bëjmë thirrje drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, që në kushtet kur opozitës i është bllokuar mundësia nga Edi Rama, për ngritjen e komisionit hetimor për hetimin për vjedhjen e sistemit TIMS, të nisë menjëherë hetimet kryesisht për këtë mega skandal, duke çuar përpara drejtesisë këdo individ, që ka cënuar jo vetëm prokurorët apo qytetarët e zakonshëm, por mbi të gjitha ata individë apo zyrtarë, që kanë cenuar sigurinë tonë kombëtare dhe partneritetin tonë me aleatët strategjike.
Ndërkohë rikujtojmë qytetarët shqiptarë, se edhe këtë javë kemi depozituar fakte e prova të reja pranë SPAK, kemi depozituar dokumente shtetërore me firmën e zyrtarëve qeveritarë, të cilat faktojnë në mënyrë të pamohueshme rolin kryesor të Bashkisë Tiranë dhe Erion Veliajt, në aferën korruptive të shekullit, atë të Inceneratorit fantazmë të Tiranës.