AKTUALITET, 5 Shkurt 2024, 17:36

Bardhi: Rama, bashkëpunëtori i Ahmetajt, vuri Gardën kundër deputetëve të opozitës

Bardhi: Rama, bashkëpunëtori i Ahmetajt, vuri Gardën kundër

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi lëshoi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama duke e konsideruar atë bashkëpunëtor të Arben Ahmetajt dhe si kreun e aferës së inceneratorëve.

Pas seancës së shkurtër parlamentare, Bardhi foli shkurt për gazetarët duke theksuar se Rama urdhëroi Gardën që të pengonte deputetët e opozitës që të hynin në sallë edhe pse shumë prej tyre nuk kishin masë disipilinore.

"Siç e patë, sot në kuvend kishte ardhur bashkëpunëtori i Arben Ahmetaj, personi i konsideruar nga njeriu më i afërt si koka e inceneratorëve.  Me një urdhër të paligjshëm, deputetët e opozitës u ndaluan të futen në Parlament. Edhe ndaj deputetëve që nuk kishte masë disiplinore, Garda e Republikës me urdhër personal të Edi Ramës, një frikacak që i fshihet gjithmonë përballjes me qytetarët tentoi të lërë jashtë deputetët e opozitës. Besoj se vetëm në vende me regjime autoritare nuk lejohen deputetët të futen të ushtrojnë mandatin… e paimagjinueshme që deputetët duhet të shqyhen nga këmisha dhe kostumi që të futen në sallën plenare”, tha Bardhi.