AKTUALITET, 25 Prill 2023, 16:15

Alibeaj: Berisha po përdor demokratët për t’u mbrojtur nga drejtësia

Alibeaj: Berisha po përdor demokratët për t’u mbrojtur nga

Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, në një takim elektoral në Gjirokastër, prezantoi kandidatët e PD-së për këshillin bashkiak, ndërsa shtoi se, lista është më cilësorja e mundshme.

Ai u bëri thirrje gjirokastritëve të votojnë për të mbështetur ajkën e qytetit, njerëzit me reputacion, intelektualët.

“PD ka pjesën e saj të përgjegjësisë se përse 10 vitet e fundit, nga 2013-a, shqiptarët në mungesën e alternativës, në një situatë të rëndë ekonomike bën dhe zgjedhjen ekstreme, ikën nga vendi. Sot janë te gjitha arsyet që ky regjim i Edi Ramës duhet rrëzuar. Kemi  mungesë shprese, ekonomia me rëndë se asnjëherë tjetër, çmimet në kulm, papunësia si asnjëherë tjetër”, tha ai.

Sipas tij, shqiptarët duan të kenë një model, të kenë një fytyrë të një partie politike që mund t’u ngjallë vetëm shpresë.

“Këtë mund ta bëjmë vetëm ne, PD. Deri tani ia kemi dalë me sukses në atë përballjen tonë, brenda shtëpisë që quhet PD. Ka pasur një palë që nuk bëri gjë tjetër veçse targetoi PD-në për ta asgjësuar atë. Sali Berisha e bëri këtë. Qeverisja jonë para 2013-s pati vetëm arrogancë me njerëzit, praktika korruptive, ndaj qytetarët shqiptarë me votë vendosën të mos vazhdonin më”, shtoi ai.

Alibeaj shtoi se, më e rënda ishte se Berisha u regjistrua dhe u fut nën sqetullën e Ilir Metës, një parti e majtë.

“Socialistët e Metës e kanë treguar që thjeshtë vetëm janë pazarxhinj politikë. Ku është pushteti, shkojnë një herë me PS-në, një herë me PD-në. Shqiptarët duan të kenë një alternativë të re. Vetëm e djathta ua ofron këtë lloj mundësie. Halli i Berishës është se është shpallur “non grata” dy herë. Po përdor demokratët. Ky popull në këtë rajon, pothuajse në të gjithë Evropën, njihet si populli më proamerikan. Të krijosh sot një shtjellë, një vorbull antiamerikane, në fakt është një shtjellë dhe një vorbull antishqiptare. E ka marrë këtë guxim për ta bërë Sali Berisha”, tha Alibeaj.

Sipas tij, Berisha kërkon të mbrohet dhe ta ketë si mburojë edhe nga drejtësia.

“Dyshja Berisha-Meta, së bashku me Edi Ramën, kanë asfiksuar politikën në këtë vend. Oligarkët ekonomikë janë në rregull kushdo qoftë, njëri, tjetri apo tjetri. Dhe kjo është prova se përse janë bashkë”, shtoi ai.