TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ish-deputeti i PS-së dhe ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës Gjokë Jaku ka reaguar në një postim në “Facebook” për parullën e socialistëve në këtë fushatë “Vetëm përpara, kurrë më mbrapa” si dhe situatën parazgjedhore.
Jaku shkruan se ky vend është në traumë, duke kujtuar largimet masive të shqiptarëve teksa iu drejtohet socialistëve se historia nuk fillon me ta.
Ai ngre disa pyetje për jetën sociale dhe ekonomike në vend, për gjendjen e qytetarëve, biznesit, infrastrukturën, administratën, shërbimet ndaj komunitetit etj.
Duke folur më tej për gjuhën e përdorur nga socialistët për opozitarët, Jaku deklaron se kundërshtarët tuaj nuk janë armiq tuaj, s’janë as serb e as rusë, por janë banorë të përhershëm të këtij vendi, njerëz të të njëjtit komunitet në bashkëjetesë.
POSTIMI I PLOTË
“Ata që nuk pranojnë lirinë e të tjerëve, nuk meritojnë as lirinë e tyre” A. Linkoln
Jemi në “pikun” e fushatës për zgjedhjet lokale, përfshirja e qëndrimi ndaj tyre është nevojë e gjithsecilit, indiferenti apo bojkotuesi s’ka pse ankohet kurrë për mënyrën e qeverisjes, nëse nuk merr as mundimin të shkojë e votojë, këta të fundit janë kategoria që i madhi Konica i përkufizon…”Shqiptarët kur i lë treni, kurrë nuk thonë se u vonuam, por na iku”.
Të marrësh pjesë aktive në kohë zgjedhjesh është detyrim kushtetues, moral e atdhetar. Nuk mjafton vetëm shqiponja në duar për të dashur atdheun, patjetër që duhet përfshirje, kontribut, ashtu siç ti e gjykon a mundesh.
Jetojmë kohë kur teknologjia e informacionit bën të mundur përfshirjen e kujtdo përmes rrjeteve sociale. Shpesh ndodh që në këtë “pyll të pafund” të ndërhyjnë dhe ata që nuk i njeh e as të njohin fare, anonimatë me adresa false gjithfarësh, janë të parët që të kryqëzojnë, fyejnë, akuzojnë, madje të japin dhe leksione.
Ndaj këtyre injorimi dhe përbuzja janë ilaçi i vetëm më i mirë.
&&
Si aktor lokal tash 32 vjet, s’mund të jem indiferent ndaj jetës shoqërore, politike, sociale…shoh përditë si garojnë në “kor” militantët, propagandistët që mohojnë gjithçka ka ndodh më parë, mohojnë njerëzit, kontributet, me ritualin e tyre “këtu nuk është punuar kurrë më parë”, “e gjetëm vendin të shkretë”, me ne “vetëm përpara, kurrë më mbrapa” etj si këto, të imponojnë të reagosh doemos.
Fushatat zgjedhore janë gjithnjë kohë me dinamikë, por të çmosh kësilloj parullash e t’jua përsëritësh përditë votuesve, është fyese, është e rrezikshme, më e pakta është cenim i rëndë i paqes sociale.
Zotërinj bota është ndërtuar prej mijëra vjetësh, bota ka njohur dhe shumë kohë më parë qytetërime. Shqipëria është ndërtuar dhe më parë, dhe kur nuk ishim ne, me ritmin e kohës natyrisht.
Lezha është vendbanim i hershëm, këtu kanë punuar breza, shumë breza përpara jush.
Dua t’ju kujtoj se secili brez ka kontributin e tij, janë këto kontribute që kanë krijuar trashëgimi në zhvillimin e përgjithshëm urban, ekonomik, kulturor, arsimor, shëndetësor, në sport etj.
Zotërinj historia nuk fillon me ju, a me ne, zhvillimi i vendit nuk ka filluar vetëm se erdhët ju e do ndalojë nëse s’do jeni ju. Këtë vend e duam njësoj të gjithë ne që lindëm, u rritëm e kemi zgjedhur të jetojmë përgjithmonë në këtë vend.
Ju thjeshtë duhet të na thoni:
1. Sa është përmirësuar cilësia e jetës së qytetarit nën qeverisjen tuaj?
Sa është pasuruar tavolina jonë e bukës?
Sa janë rritur kursimet tona në muaj a në vit?
Sa sipërfaqe të gjelbër për publikun keni shtuar në 4 vite?
Sa metra rrugë të reja keni hapur e shtuar?
Sa i sigurt ndjehet biznesi së fundmi?
Sa të mbrojtur ndjehet administrata e sotme?
Sa i hapur e bashkëpunues ka qenë pushteti me komunitetin qytetar?
Përgjigjet e këtyre pak pyetjeve fare të thjeshta i di opinioni në masë, jetojmë këtu.
Askush nuk mohon punët e investimet e kryera, sigurisht që është punuar, se për këtë jeni zgjedhur, por kjo nuk ka ndikuar as fare në braktisjen masive të vendit.
Ky vend është në traumë, ikje nga nevoja ekonomike, por mbi të gjitha është ikje nga ky realitet i frikshëm, jo social, nga mosdurimi i këtij realiteti dhe i hijeve që mbart.
Ky realitet ndryshohet me ndryshime strukturore, por dhe politike. Kundërshtarët tuaj nuk janë armiq tuaj, s’janë as serb e as rus, por janë banorë të përhershëm të këtij vendi, njerëz të të njëjtit komunitet në bashkëjetesë.
Mjaft më me etiketime, presion e arrogancë, jemi njerëz të të njëjtës ADN, toka e dielli na takon të gjithëve njësoj.
&&.
Është bërë mode prej kohësh shitblerja e votës, këtë gjë e dimë plot prej nesh, e flasim përditë, i njohim mirë dhe personazhet që merren posaçërisht me këtë punë dhe pse hezitojmë t’ju drejtojmë gishtin.
Është e lehtë të blesh fukaranë, pasi ky nuk gjen kurrë mbështetje, vëmendje, as nuk pritet e as përcillet nga zyrat e shtetit, madje me qëllim është lënë mënjanë në mizerje, tamam për “ta blerë” në kohë fushate. Ky është abuzimi më i rëndë që njeh njerëzimi, abuzim që deformon pikë së pari demokracinë, zgjedhjet e rrit korrupsionin e arrogancën e pushtetit. Kushdo ta dijë se atë ditë që ka pranuar të shesë votën, ka pranuar të jetë peng dhe i përbuzur.
&&
Prej një viti jam pjesë e PAA (Agron Duka), një force politike me kontribut të vlefshëm në jetën politike e vendosur në opozitë.
Është në filozofinë tonë politike dhe frymën e lidershipit, trashëgiminë 30-vjeçare dhe të sotme gjithashtu, përpjekja për një klimë larg konfliktit, ndërtimit të një marrëdhënie bashkëpunimi me forcat politike që i shërbejnë zhvillimit të qëndrueshëm të vendit. Ne jemi për ndryshimin, ndryshimi është zhvillim.
Jetojmë dhe ushtrojmë aktivitetin tonë në një mjedis relativisht të vogël, ku të gjithë i njohin të gjithë.
Imponimi apo shantazhimi me mjete të tjera të jashtëligjshme i qytetarëve, administratës shtetërore, biznesit, nuk i shërben këtyre zgjedhjeve.
Kur them se aktorët në garë i njeh mirë i gjithë komuniteti qytetar, kjo do të thotë se në analizë të fundit, njerëzit e kanë qartë se çfarë i shërben zgjidhjes së problemit në çdo kohë, kush i shërben me përulësi problemeve të shumta e të përditshme të qytetarëve.
Unë nuk bëj pjesë te njerëzit indiferent, as tek të shantazhuarit, as oportunistët, as tek ata që “luajnë me dy apo tre porta”, sepse kam zgjedhur për sa të jem gjallë, të jem njeri i lirë, të punoj e kontribuoj modestisht për fatet e zhvillimit të qytetit tim.
Prandaj unë do zgjedh të votoj Lindita Metaliaj dhe jo Elisa Spiropalin, do zgjedh të votoj Eduard Ndrecën dhe jo Ulsi Manjën, do zgjedh të votoj dr. Pashk Gjonin dhe jo Pjerin Ndreun.
Në fund të këtij shkrimi, për të cilin jam krejt i bindur se do ketë gjithfarë reagimesh, jam i përgatitur për këtë gjë, po ju kujtoj një thënie të B. Franklin “kush jep lirinë, për të fituar sigurinë, në fund i humb të gjitha”.