AKTUALITET, 8 Maj 2026, 11:33

Akuzat/ Atentati ndaj ish Prokurorit Arjan Ndoja, SPAK kërkon burg përjetë për Plarent Dervishajn! Ja pretenca për Julian Meçen

Akuzat/ Atentati ndaj ish Prokurorit Arjan Ndoja, SPAK kërkon burg

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dhënë pretencën për Plaurent Dervishajn dhe Julian Meçen, të pandehur në lidhje me atentatin ndaj ish Prokurorit Arjan Ndoja në vitin 2019.

SPAK kërkon burg të përjetshëm për Plaurent Dervishajn, ndërsa 35 vite për Julian Meçen. Pretenca u lexua në mungesë të të pandehurve nga prokurori Adnan Xholi.

SPAK i akuzon Dervishajn dhe Meçen se kanë pasur rol në organizimin dhe financimin e atentatit ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja (tashmë deputet) dhe Aleksandër Laho ose siç njihet ndryshe Rrumi i Shijakut.

Si u identifikua Plaurent Dervishaj

Sipas SPAK, në disa raste përdoruesit e aplikacionit kanë përdorur pseudonime që lidhen me emrat e tyre realë. Në raste të tjera, identifikimi është bërë falë informacioneve personale që ata kanë ndarë gjatë bisedave.

Për Plaurent Dervishaj, hetuesit kanë zbuluar një fotografi të dërguar në komunikime, ku kërkohej mbyllja e një adrese emaili. Në të njëjtat biseda janë përfshirë edhe të dhëna familjare, si emrat e fëmijëve dhe datat e lindjes së tyre. Pas verifikimeve, këto informacione kanë rezultuar se përputhen me të dhënat e Dervishajt.

Identifikimi i Julian Meçes

Një procedurë e ngjashme është ndjekur edhe për identifikimin e Julian Meçe. Në komunikimet e analizuar janë gjetur fotografi dhe informacione të ndryshme që kanë ndihmuar hetuesit të lidhin profilin e përdorur në aplikacion me identitetin e tij real.

Prokuroria theksoi gjithashtu se në disa raste përdoruesit janë vetëidentifikuar gjatë bisedave, duke dhënë të dhëna që i çonin drejtpërdrejt tek identiteti i tyre.