TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Akti normativ i qeverisë për ndryshime në buxhetin e vitit 2026, do të mundësojë akomodimin e politikave me ndikim të menjëhershëm ekonomik dhe social, siç janë indeksimi pensioneve dhe rritja e fondeve për startup-et, financimi i mbrojtjes dhe infrastrukturës. Gjatë prezantimit të aktit në komisionet parlamentare, Ministri i Financave, Petrit Malaj theksoi se indeksimi i pensioneve me 2.7 % i nis efektet nga 1 Korriku, ndërsa vitin e ardhshëm do të bëhet në muajin prill.
“Urgjenca e kësaj ndërhyrjeje lidhet ngushtësisht me garantimin e zbatimit në kohë të politikave me ndikim të menjëhershëm ekonomik dhe social, të lidhura ngushtë me afate të përcaktuara ligjore dhe buxhetore. Më konkretisht: Afrimin e indeksimit të pensioneve me efekt financiar nga 1 korriku (pra jo më nga 1 tetori). Plani është që vitin e ardhshëm indeksimi i pensioneve të bëhet në muajin Prill, siç ka qenë edhe më parë. Dyfishimin e pagesës për fëmijët me aftësi të kufizuara me efekt financiar nga data 1 korrik 2026; Mbulimin nga shteti të pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për kujdestarët e personave PAK, me efekt nga data 1 Tetor 2026 dhe me një kosto financiare vjetore prej 2 miliardë lekësh. Sigurimin e financimit të menjëhershëm të shpenzimeve prioritare në fushën e mbrojtjes, në funksion të përmbushjes së angazhimeve ndërkombëtare të Shqipërisë ndaj NATO-s, gjatë vitit buxhetor 2026; Garantimin e burimeve financiare të nevojshme për përmbushjen e detyrimeve, që lidhen me procesin e integrimit evropian”, shtoi ministri.
Sipas Ministrit, përmes aktit normativ, një rëndësi e veçantë i kushtohet investimeve në infrastrukturë.
“1 miliard lekë financim i huaj shtesë për projektet me ecuri të mirë. 6.5 miliardë lekë financim shtesë për investimet infrastrukturore prioritare. Nga kjo shumë, 3 miliardë lekë do të përdoren për krijimin e Operatorit të Shërbimeve të Logjistikës Bashkiake, me qëllim mbështetjen e bashkive me makineri, pajisje dhe logjistikë”, tha ai.
Përmes këtij akti normativ, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit merr 1.6 miliardë lekë shtesë; Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale 3.9 miliardë lekë shtesë; Ministria e Mbrojtjes, rreth 10.3 miliardë lekë; Ministria e Arsimit 750 milionë lekë shtesë; Ministria e Brendshme 704 milionë lekë dhe SPAK 200 milionë lekë.