AKTUALITET, 15 Korrik 2018, 21:03

A janë të paracaktuar tenderat që bën drejtori i DPSHTRr-së, Arben Isaraj?!

Prej disa muajsh, qytetarët u enden në dyert e Drejtorive të Transportit Rrugor në Tiranë dhe rrethe, për kartonin e patentës. Situata u bë problematika në fillim të muajit mars, dhe vijoi deri në fillim të korrikut. Tpz.al ka raportuar herë pas here për këtë problematikë, por tashmë problemi merr përmasat e një skandali. Drejtori i DPSHTRr-së, Arben Isaraj, ka bërë të gjitha përpjekjet për të bërë një tender, jo për zgjidhjen përfundimtare të problemit, por për të marrë me qira pajisje që printojnë këto kartonë. Gjithçka është bërë në mënyrë të shpejtë, që nga kopsitja e letrave nga firma, dokumentet e Drejtorisë, pjesëmarrja në tender e vetëm një firme e deri te shpallja e fituesit.

Kronologjia e një tenderi të paracaktuar

  1. Në datën 8 qershor 2018, pasi në sportelet e Drejtorive të Transportit nuk po merrej kartoni patentave, një firmë private, e quajtur "ALB-SSD" bën ndryshime në Qendrën Kombëtare të Biznesit, për objektin e aktivitetit të saj. Sipas ndryshimeve, u shtua "dhënia me qira e sistemeve softëare, pajisje informatike dhe elektronike, sisteme e makineri gdhendje me laser për përsonalizim...".
  2. Në datën 12 qershor 2018, drejtori Arben Isaraj publikon në Agjencinë e Prokurimit Publik dokumentet e këtij tenderi, ku kërkonte "marrje me qira të sistemit të personalizimit të prokateve ÇAP dhe të kartave të lejes së re të Drejtimit”. Fondi për këtë tender ishte 76 milionë lekë të vjetra dhe shërbimi do të kryhet për 6 muaj. Pra, shpallja e kontratës, vetëm 4 ditë pas ndryshimeve të objektit të firmës private.
  3. Në datën 9 korrik 2018, në Agjencinë e Prokurimit Publik shpallet fituesi i këtij tenderi. Normalisht, me të gjitha këto procedura, fituese u shpall firma “ALB-SSD” shpk. Sipas dokumenteve, në tender mori pjesë vetëm një kompani, pikërisht “ALB-SSD” shpk, e cila ofroi 72 milionë lekë.

Nisur dhe nga dokumentet, dyshohet se gjithçka ka qenë e paravendosur. Megjithatë, i takojnë institucioneve të tjera, KLSH-së apo prokurorisë për të hedhur dritë mbi këtë tender. Tpz.al do të vijojë të denoncojë çdo dyshim që ka të bëjë me bërjen e tenderëve në Shqipëri. /TPZ.AL/