BLOG, 19 Tetor 2021, 10:59

“Lulzim Basha (Hoti) nuk e ruan dot bunkerin e tij nga anëtarët e partisë’|

“Lulzim Basha (Hoti) nuk e ruan dot bunkerin e tij nga anëtarët

1. Në këto 30 vitet e fundit, Sali Berisha nuk ka pasur marrëdhënie të mira me asnjë ambasador amerikan në Shqipëri.  Por kjo nuk e pengoi të qeveriste vendin dhe të drejtonte PD shumë më suksesshëm se Lulzim Basha (Hoti). Nuk e pengoi të vizitonte Shtëpinë e Bardhë pa asnjë lek dhe të prite në Shqipëri të vetmin President të SHBA.

Marrëdhënia aspak e mirë me ambasadorët e Berishës, nuk e pengoi Blinken, asokohe ndihmës i Biden, të shpallte Berishën kampion të antikorrupsionit. (Edhe në këtë rast na i solli zorrët te goja, ky Blinken).

Këto janë fakte që i kemi përjetuar, jo opinione.

2. Argumenti që Saliu e do PD si mburojë për çështjet e tij personale, do ishte i besueshëm nëse përdorej nga një avokat i interesit publik dhe jo klient i Nick Muzin.

Le pastaj po të krahasosh sjelljet. Luli që vetë shkruan e vetë vulos na qenka interesi publik. Saliu që kërkon vendime kolegjiale qenka interesi privat.

3. Po erdhi Saliu, PD bëhet bunker dhe do zemërohet Amerika. Hahahahahahahahahahahahahahahahahahahahahahahaha.

E çdo bëjë “Amerika e zemëruar”, do pushtojë PD?!

E vërteta është, ndërkohë që ambasada, e cila flet edhe për larjen e duarve, nuk ka thënë asnjë fjalë për Foltoren dhe për Berishën që kur nisi foltoren.

Pyetja e pashmangshme është: a e ruan dot më Luli bunkerin e amerikanllëqeve të tij nga anëtarët e partisë?

4. “Dy duar për një kokë” është lajtmotivi “Hotist” i bunkerit të amerikanllëqeve. Me këtë i vë vulën përfundimisht çdo parimi apo teze publike.

Ato dy duart janë për atë kokën, kur të sulmojnë familjen, pronën e jetën. Personalen d.m.th, jo karrigen e kryetarit.

5. “Nuk do të lejoj kurrë”- thotë Luli kur bie fjala pse nuk mbledh Kuvendin e partisë.

Luli vetë na ka mësuar me prova se sa herë betohet me fjalën “kurrë”, bën ekzakt të kundërtën.

D.m.th do kalonin mbi trupin e Lulit nëse:

Fatmir Xhafaj do bëhej ministër;

Do shembeshin banesat e banorëve të unazës;

Do bëheshin zgjedhje lokale moniste… etj, etj…

Ndaj kur thotë Luli “kurrë” të vjen një si optimizëm i frikshëm…

Këto janë amerikanllëqet e djeshme të Lulit dhe kryetarokratëve të tij mediatikë.

Tani ka filluar faza amerikanllëk-maskarallëk.

E përsëris, mbi tezat që komunikohen në publik dhe që prekin jetën publike, pavarësisht se nuk jemi anëtarë të PD, ne do komentojmë. Pa “marrë leje” as te kryetarokratët e as tek Foltorja.

Politikanët që marrin vendime në emrin tonë këtu njihen.