SPORT, 14 Janar 2024, 19:11

Zgjohet edhe sulmi, tani po që duket një Juventus për titull. Në tri ndeshjet e fundit, 12 gola nga reparti ofensiv

Zgjohet edhe sulmi, tani po që duket një Juventus për titull.

Masimiliano Alegri nuk mund të kishte marrë një dhuratë më të mirë për të festuar 400 pankinat në stolin e Juventusit: arriti gjysmëfinalet e Kupës së Italisë, asnjë gol i pësuar siç kërkoi trajneri në konferencë dhe mbi të gjitha përgjigjet e shkëlqyera nga “sulmuesit rezervë” (tre gola nga Arkadiuzh Milik dhe një nga Kenan Jilldëz).

Juventusi tregoi se ka një gjendje fizike e psikologjike perfekte edhe në radhët e pankinave, atyre që luajnë më pak dhe pa dyshim që 4 golat ndaj Frozinones në Kupë ishin një tjetër mesazh i qartë për Interin, në luftën për titull. “Nuk mund të themi se nuk e ëndërrojmë titullin… Për momentin vetëm kaq, të tjerat i shohim rrugës”, shprehej Perin pas sfidës.

Pas një faze të parë prej 12 golash të pësuar, por vetëm 29 të shënuar dhe të karakterizuar nga shumë fitore 1-0, ditët e fundit Alegri po rizbulon venat e golit, aty ku duhet të kalojnë me shpeshtësi sulmuesit e tij. Pa Mois Kenin që përveç se i dëmtuar duket edhe me valixhe në duar, ndërsa Federiko Kieza vazhdon të jetë në “bokse” me probleme muskulore, trajneri Alegri i besoi sërish Kenan Jilldëzit, i cili shpërbleu sërish. Talenti turk 18- vjeçar realizoi një tjetër perlë, një goditje fluturimthi për 4-0, ndërkohë që më në fund edhe Milik u rikthye të ulërijë.

Madje, agjërimin e gjatë ai e bëri që të harrohej duke shënuar 3 gola brenda 48 minutash. Për Arkadiuzhin kjo tripletë duhet të jetë edhe një motiv mburrjeje, duke qenë se i fundit që kishte realizuar 3 gola në një ndeshje të Kupës së Italisë për Juventusin ishte një farë Alesandro Del Piero, plot 18 vite më parë kundër Fiorentinës. Kështu, tani edhe polaku mund të kërkojë me të drejtë më shumë hapësirë dhe jo vetën në Kupën e Italisë…

Gjithsesi, ajo që është më e rëndësishmja janë numrat… 12 gola në 3 ndeshjet e fundit me të gjithë sulmuesit në gol, përveç Kiezës (që ka munguar në 3 ndeshjet e fundit), bardhezinjtë ndoshta janë në momentin më të mirë të sezonit të tyre. Kjo, sepse për më tepër së fundmi është parë një Juventusit që përveç se luan dhe fiton, tani edhe po argëton dhe argëtohet në fushë.

Dhe në më pak se një muaj është edhe dueli direkt me Interin (më 4 shkurt), me bardhezinjtë të cilët ndodhen në korsi parakalimi dhe nëse e ruajnë këtë distancë, apo ndoshta e shkurtojnë deri më atë datë, në “San Siro” e sigurt është që do të jetë një spektakël i vërtetë.

Madje, nëse deri në fund të këtij janari, trajnerit Alegri mund t’i bëhet si dhuratë edhe një mesfushor që ai ka kërkuar, sigurisht që do të jetë edhe më e paparashikueshme.