SPORT, 14 Shkurt 2024, 21:39

“Veprova si Klop te Liverpuli”, rrëfehet Igli Tare: Jam drejtori sportiv më jetëgjatë në Serinë A

“Veprova si Klop te Liverpuli”, rrëfehet Igli Tare: Jam

Igli Tare ka folur së fundmi për të ardhmen e tij në futboll pas largimit nga Lacio.  Ish-drejtori sportiv i të kaltërve, në një intervistë për median gjermane “Ran”, ka zbuluar detaje tepër interesante, duke e krahasuar vendimin e tij për të pushuar për disa kohë me atë të Jurgen Klop.  

Vlonjati ka treguar edhe vendet nga ku ka oferta si dhe shprehet krenar për atë që ai ka arritur me Lazion nën drejtimin e tij. 

“Kur u largova verën e kaluar, isha drejtori sportiv më jetëgjatë në Serie A. Ne shkruajmë një histori të madhe. Suksese, dy herë fitimi i Kupës së Italisë, tre herë i Superkupës dhe disa herë kualifikimi në Ligën e Kampionëve, jam krenar për atë që kemi arritur vitet e fundit, sepse ende e mbaj mend saktësisht se në çfarë gjendje ishte Lazio kur fillova të punoja me ta. 

Gjithçka është e mundur, duke përfshirë Gjermaninë, Anglinë apo Italinë. Unë jam një kozmopolit dhe kam pasur shumë përvojë në shumë vende. Për mua, projekti dhe ambiciet e klubit kanë rëndësi, jo paratë. Unë kam pasur tashmë kërkesa, jo nga Gjermania, por më duhej të anuloja disa sepse doja një pushim disa mujor për t’u rigjeneruar plotësisht. 

Nuk u largova për ndonjë konflikt me Lotiton, e mohoj këtë. Presidentin e kisha lajmëruar para shumë kohësh se do të largohesha, ishin 15 vite shumë intensive dhe kishte ardhur momenti për një pauzë. Pak a shumë si Klop me Liverpulin. 

Kjo Lacio ka shumë lojtarë nga viti i kaluar dhe prandaj kam ende një lidhje shpirtërore me skuadrën. Jam ende tifoz i tyre dhe kryqëzoj gishtat për ndeshjet në Champions League përballë Bajernit”, u shpreh Tare.