SPORT, 6 Janar 2024, 13:47

Tani do gol edhe në kampionat, Ibra merr në patronazh Leaon

Tani do gol edhe në kampionat, Ibra merr në patronazh Leaon

Zlatan Ibrahimoviç ka mbyllur çështjet personale të marketingut në Majami dhe është rikthyer të enjten në “Milanello”. Nëse objektivi i parë pas marrjes së detyrës së këshilltarit ishte të bërit avokatin e Stefano Piolit, pas një periudhë shumë të vështirë, e cila pa dyshim që nuk është kaluar ende plotësisht, suedezi ka nisur nga dje të punojë për synimin e radhës.

Me t’u rikthyer në fushën stërvitore, për të ndjekur nga afër skuadrën, Zlatani është parë menjëherë që të shndërrohet në hijen dhe shoqëruesin e Rafael Leaos. Sulmuesi portugez, pavarësisht golit në Kupën e Italisë kundër Kaljarit, i cili e zhbllokoi pas një agjërimi shumë të gjatë, nuk duket ende në formën e tij optimale.

Ai kishte që nga shtatori (saktësisht nga 23 shtatori me Veronën) që nuk shënonte dhe për një sulmues, një abstenim kaq i gjatë sigurisht që mund ta bllokojë lehtë një futbollist, një sulmues, për më tepër, aq të ri sa Leao. Prandaj, duke u nisur edhe nga eksperienca e tij, Ibrahimoviç është parë shumë i afërt me 24- vjeçarin. Marrëdhënia e tyre ka qenë fantastike që nga periudha kur luanin bashkë, por tani Ibra ndjen edhe një përgjegjësi më shumë, pasi duke mos qenë në fushë që ta ndihmojë, ai kërkon që ta motivojë nga jashtë saj, t’i mësojë hilet e zanatit në mënyrë që edhe iberikasi të ngrihet fillimisht psikologjikisht dhe më pas në aspektin sportiv.

Sigurisht që Leao cilësitë i ka, i ka treguar qartësisht ato, por tani ka ardhur ora për të reaguar dhe Ibra mund të jetë ilaçi i duhur. Fundja, siç e ka pranuar shpesh Leao në intervistat e fundit, “Ibra është njeriu që i dhuronte presionin pozitiv që kujtdo i nevojitet për të qenë i fortë dhe i sigurt në fushë”.

Dhe pse jo, këtë gjë është munduar që të bëjë sërish nga dje Zlatani në stërvitje, me shpresën se këshillat dhe besimi që drejtuesi i ri kuqezi ka ndaj Rafës të bëjë punën e vet dhe portugezi pas Kupës së Italisë të zhbllokohet edhe të dielën, në kampionat, përballë Empolit të shqiptarëve.