TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Pushimet kanë mbaruar në Gjermani dhe është koha për të zbritur në fushë. Futbolli në këtë vend do të nisë sonte në mbrëmje me finalen e parë atë të Superkupës ku përballë do të jenë Lajpcigu fitues i Kupës së Gjermanisë dhe dhjetë herë kampionët radhazi, Bajerni i Mynihut.
Finalja do të luhet në shtëpinë e “Demave” në Lajpcig dhe pritet me shumë interes, veçanërisht pas fërkimeve më të fundit mes dy klubeve për shkak të merkatos dhe këmbënguljes së Bajernit për t’i rrëmbyer Lajpcigut mesfushorin Lajmer.
REZULTATET E FUNDIT – Finalja e Superkupës, sonte në mbrëmje (20:30) është vetëm antipasta e sezonit të ri në Bundesligë, që do të startojë fundjavën e ardhshme. Bajerni i Munihut do ta nisë mbrojtjen e titullit të premten e 5 gushtit që nga Frankfurti, ndërkohë që Lajpcigu do të luajë dy ditë më vonë kundër Shtutgartit.
Skuadra e drejtuar nga Domeniko Tedesko ka mundur Sauthemptonin dhe është mposhtur nga Liverpuli gjatë miqësoreve verore, ndërkohë që edhe Bajerni nga ana e tij numëron një fitore dhe një humbje në turneun amerikan.
Bavarezët kanë mundur DC Junajtid 6-2 përpara se të mundeshin 0-1 nga Mançester Siti. Bajerni i Mynihut vjen në këtë finale me objektivin për të fituar për të dhjetën herë Superkupën e Gjermanisë. Kujtojmë se për bavarezët kjo ishte finalja e 11-të radhazi, teksa ata kanë fituar dy finalet e fundit në vitin 2020 dhe 2021. Për Lajpcigun kjo do të jetë hera e parë që luan në finalen e Superkupës së Gjermanisë.
PRECEDENTËT – Finalja e vitit 2022 do të jetë e veçantë edhe për një arsye tjetër. Pas tri sezonesh, Dortmundi nuk do të jetë më në garë për Superkupën kundër Bajernit. Bavarezët humbën finalen e fundit ndaj verdhezinjve në vitin 2019.
Kjo do të jetë ndeshja e parë zyrtare e skuadrës së Nagelsmanit pa Levandovskin në fushë, me polakun që u largua për t’iu bashkuar Barcelonës.
Bajerni dhe Lajpcigu janë përballur 14 herë mes tyre me bavarezët që kanë fituar 9 takime, 4 ndeshje të tjera kanë mbyllur në barazim, ndërsa Lajpcigu numëron vetëm një fitore në vitin 2018.
Në tri përballjet e fundit Myler me shokë kanë fituar gjithmonë ndaj kundërshtarëve. Është një fakt për t’u mbajtur në mendje: Bajern-Lajpcig është një sfidë që prodhon gola e nuk ka më mirë se sezoni i ri në Gjermani të nisë me spektakël.