SPORT, 17 Qershor 2022, 21:59

Rusia mban peng “Santiago Bernabeun”, Perez tregon problemet që lindën pas pushtimit të Ukrainës

Rusia mban peng “Santiago Bernabeun”, Perez tregon problemet që

“Santiago Bernabeu” modern do të duhet të presë pasi Real Madrid për momentin e ka të pamundur të përfundojë në kohë punimet që ka nisur prej më shumë se dy vitesh në impiantin e tij për ta bërë ultra-modern. Këtë e ka konfirmuar presidenti i madrilenëve, Florentino Perez, i cili bëri të ditur se punimet shpresohej të mbylleshin para fillimit të edicionit 2023-2024.

“Filluam punimet dhe menjëherë nisi pandemia. Pastaj erdhi lufta në Ukrainë dhe kjo e fundit provokoi dy gjëra: mungesë materialesh dhe rritje e çmimeve. Por do t’i kalojmë të gjithë këto probleme dhe jemi të lumtur që kemi nisur modernizimin e stadiumit”, theksoi Perez.

Mediat spanjolle bëjmë të ditur se për punimet në mbulesën e re të stadiumit, materialet siguroheshin nga Ukraina dhe sidomos çeliku, i cili vinte nga uzina e famshme e Azovstal në Mariupol ku u bënë disa nga luftimet më të përgjakshme. Një situatë që ka ngrirë punimet dhe që ka shtyrë përfundimin e tyre teksa po gjenden burime të tjera të materialeve që nevojiten për të përfunduar impiantin.