SPORT, 19 Janar 2025, 18:55

Real Madridi fiton me spektakël ndaj Las Palmas edhe pse iu anuluan tre gola, Mbappe në top formë

Real Madridi fiton me spektakël ndaj Las Palmas edhe pse iu anuluan tre

Real Madridi ka shënuar fitore të rëndësishme në shtëpi ndaj Las Palmas me rezultat 4-1 në kuadër të javës së 20-të. 

Mbretërit edhe pse e nisën ndeshjen shumë keq duke pranuar gol, treguan fuqinë dhe arritën të marrin tri pikë për vendin e parë në renditje.

Fabio Silva shënoi që në minutën e parë pas asistimit të Sandro Ramirez për 1-0.

Por nuk vonoi shumë dhe Real Madridi fitoi penallti, ku nga pika e bardhë doli të ishte i saktë Mbappe që shënoi për 1-1.

Në minutën e 33-të, mbretërit morën epërsinë, me golin e shënuar nga Brahim Diaz, i cili nga afër gjeti rrjetën për 2-1.

Pas tre minutash, Kylian Mbappe që ishte në formë të lartë, arriti të shënojë për 3-1, duke i dhënë drejtim sfidës.

Në minutën e 43-të, Mbappe shënoi edhe njëherë, por që goli u anulua për pozitë jashtë loje.

Me të filluar pjesa e dytë, Rodrygo shënoi për 4-1, duke e hipotekuar fitoren e Real Madridit.

Golat e bukur të Jude Bellingham dhe Fede Valverde në vazhdim u anuluan për pozitë jashtë loje.

Kjo fitore e kthen Real Madridin në vendin e parë me 46 pikë, dy më shumë se Atletico Madridi dhe shtatë më shumë se Barcelona.