SPORT, 15 Shkurt 2025, 17:48

Protagonist te Juventus, Kolo Muani kërcënon Interin: Marrim 3 pikët

Protagonist te Juventus, Kolo Muani kërcënon Interin: Marrim 3

Kolo Muani është kthyer menjëherë në një lojtari kyç për Juventusin. Sulmuesi francez, i ardhur në ditët e fundit të merkatos së dimrit, u fut menjëherë në formacionin titullar dhe ka bërë disa superparaqitje.

Ndikimi është i dukshëm, sepse pas golit në debutimin e tij në “Maradona” kundër Napolit, erdhën edhe katër të tjerë: dy kundër Empolit dhe dy kundër Komos. Golat dhe pikët erdhën, por tani është derbi italian kundër Interit, sfidë ku sulmuesi francez pritet të jetë titullar, sërish në krye të sulmit duke marrë vendin e Dushan Vlahoviçit.

“Derbi është mundësia më e mirë për të treguar atë që jemi të aftë jo vetëm për tifozët tanë, por për të gjithë ata që do ta ndjekin ndeshjen”, tha ai në një intervistë për “Sky Sport”. Ardhja e tij te Juventusi ishte paksa e turbullt, sepse PSG-ja fillimisht duhej të zgjidhte çështjen e huazimit.

DONARUMA- Që kur shokët e skuadrës në Paris morën vesh që do të vishte fanellën bardhezi, Donaruma ishte i pari për të bërë një batutë. “Ai filloi të më provokonte. Më këndoi himnin e Juventusit. Por mbi të gjitha më siguroi se, duke e njohur mirë Italinë, do të isha i lumtur atje. Dëgjova këshillat e tij, u ndjeva menjëherë i qetë. Jam shumë i lumtur që jam këtu dhe gjithçka po shkon mirë”.

PRITJA- “Skuadra më priti shumë mirë dhe u ndjeva pjesë e një familjeje të madhe. Kam folur me trajnerin, kapitenët dhe shkoj mirë me të gjithë. Ne punojmë shumë. Nga ky këndvështrim është një ndryshim i madh në krahasim me kampionatin francez. Futbolli është më taktik. Dua të vazhdoj në këtë moment të mirë. Besimi që Mota dhe klubi më kanë dhënë, është i jashtëzakonshëm, shpresoj që ta shpërblej”.

MOTA- “Ai flet shumë me ne lojtarët, na jep këshilla, na shpjegon se çfarë do të thotë të luash për Juventusin dhe ai dëshiron që ne të japim gjithçka në fushë për të shpërblyer dashurinë e tifozëve. Është mirë për të gjithë që të kemi një trajner të tillë, marrëdhënia me ne është e ngushtë dhe kjo na ndihmon të përmirësohemi”.

INTERI- “Një sfidë e madhe. Ne duhet të përgatitemi mirë siç po bëjmë. Varet gjithçka nga ne që duhet të tregojmë nivelin tonë dhe të djersijmë për të sjellë në shtëpi tri pikët.”

CHAMPIONS- “PSV-ja? Ne nuk jemi favoritë. Ne e fituam ndeshjen e parë, por kemi një ndeshje tjetër që sigurisht nuk do të jetë e lehtë. Po mendojmë fillimisht për Interin dhe më pas PSV-në. Ne duam të ecim përpara, por nuk do të thosha se jemi favoritët”.

E ARDHMJA- “Më vjen mirë që Giuntoli ka thënë fjalë të mira për mua. Jam i lumtur që kam lënë një përshtypje të mirë dhe riktheva buzëqeshjen. Kjo më bën të lumtur dhe më shtyn të punoj edhe më shumë. E ardhmja nuk më shqetëson, po shijoj momentin dhe shpresoj të bëj edhe më shumë”, tha ndër të tjera Kolo Muani, i cili e ka nisur aventurën e tij me bardhezinjtë në mënyrë fantastike, duke shënuar 5 gola në 3 ndeshjet e tij të para.