TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Presidenti i Napolit, Aurelio de Laurentiis është një nga drejtuesit e paktë të klubeve të njohura që është hapur në favor të Superligës Evropiane.
Ai ka thënë se pas vendimit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë do të krijonte menjëherë një ligë elitare italiane, e cila do të ishte shumë më fitimprurëse për klubet.
“U takova me presidentin e Real Madridit, Florentino Perez dhe ramë dakord që duhet të flasim me sipërmarrës të tjerë për idetë tona. Futbolli drejtohet nga njerëz të moshuar pa vizion. Futbolli është një biznes dhe duhet të rritet”.
"Unë investoj miliona për të konkurruar në një cirk nga i cili marr thërrime. Kjo më bën të luaj kumar dhe të investoj edhe më shumë në një projekt që nuk jep rezultat”.
“Liga italiane ka më shumë klube se më parë, por të ardhurat janë ulur. Do të nisja menjëherë Ligën E. Shkronja E shkon për fjalën Elitë. Do të konkurronin vetëm klubet me një numër të madh tifozësh, 14 prej tyre”.
“Do të ishin tifozët ata që do të zgjidhnin se cilat klube do të luanin në atë ligë. Stadiumet do të ishin të mbushura, si në ligën e mbyllur të NBA”, ka thënë De Laurentiis në një intervistë për Corriere dello Sport.
Serie A aktualisht ka 20 skuadra dhe edhe pse mbetet në mesin e kampionateve më të forta, sa i përket të ardhurave qëndron shumë më poshtë se Liga Premier.
Ideja origjinale që u prezantua në vitin 2021, në të cilën Superliga duhej të përbëhej nga 12 klubet më të fuqishme të futbollit evropian, u ndal nga reagimi i shpejtë i presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Por të enjten, Gjykata Evropiane e Drejtësisë vendosi në favor të Superligës, duke e penguar UEFA-n të përpiqet të bllokojë nisjen e garës së re, i cili supozohet të rivalizojë Ligën e Kampionëve dhe garat e tjera evropiane për klube.
Agjencia A22 Sports, e cila qëndron pas idesë së fillimit të Superligës Evropiane dhe ende gëzon mbështetjen e Real Madridit, ka një plan të ri në të cilin gara e re do të përbëhet nga tre divizione dhe me sistemi të hapur.
“Ne kemi besim se do të gjejmë lehtësisht 64 ekipe. Ne duam ta zhvillojmë propozimin më tej, tani klubet më në fund mund ta bëjnë atë hapur dhe pa frikë nga sanksionet. Ata mund të na ndihmojnë të gjejmë një mënyrë për ta bërë futbollin përsëri të madh në Evropë”, ka thënë CEO i A22 Sports, Bernd Reichart.
Argumenti më i fortë i këtij projekti është disponueshmëria e ndjekjes së ndeshjeve pa kosto shtesë.