TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Partizani është një nga skuadrat me lojtarët më të kërkuar në merkato. Të kuqtë kanë arritur të kenë në ekip futbollistë të nivelit mjaft të lartë, që me aftësitë e treguara, mund të luajnë edhe në liga më të forta.
Gjithsesi, në këtë merkato një pjesë e lojtarëve janë të dëmtuar dhe janë disi të anashkaluar nga tregu për shkak të kësaj arsyeje. Lojtari i vetëm, i cili shihet të jetë në qendër të disa ofertave, është Arinaldo Rrapaj. Mesfushori vlonjat ka fituar thuajse gjithçka në futbollin tonë dhe pret nga dita në ditë kalimin jashtë vendit. Aktualisht nuk ka asnjë tratativë të mbyllur rreth shitjes së tij, por burime për gazetën bëjnë me dije se Partizani është i hapur për shitjen e vlonjatit.
“Demat” duket se po përgatisin shitjen tjetër të madhe pas Skukës dhe Matondos, nga të cilët nxorën afro 2 milionë euro. Vetë Rrapaj e ka shprehur hapur dëshirën për t’u larguar që në janar, pasi kërkon të bëjë një hap më të madh në karrierë. Ende pa “ekzekutuar” shitjen e vlonjatit, Partizani ka nisur kërkimet për një mesfushor, që do t’i përshtatej ideve të Shehit, por do të ishte edhe një pasues për Rrapajn.
Duke parë shterpësinë e tregut tonë në këtë pozicion, të kuqtë po ndjekin tregun e huaj, teksa nuk përjashtohet as ndonjë huazim “luksoz”, një opsion që është tentuar edhe më parë. Redon Ismaili, i afruar së fundmi, shihet më së shumti për të ardhmen.