SPORT, 26 Mars 2025, 22:40

Pakënaqësi dhe prapaskena, pse ishte ndryshe përballja ndaj Andorrës/ Asani në stol, ja 8 “çudirat”

Pakënaqësi dhe prapaskena, pse ishte ndryshe përballja ndaj

Përpos faktit se me Andorrën nuk dis kutoheshin 3 pikët, ndeshja e Kombëtares shqiptare mbrëmjen e së hënës kishte brenda saj disa aspekte apo ndodhi të habitshme. Të mbledhura bashkë, këto momente të veçanta që shoqëruan për më shumë se 90 minuta këtë event sportiv, e sollën atë edhe më në qendër të vëmendjes.

Nëse gjithçka po ziente prej kohësh, “Arena Kombëtare” u shfrytëzua si një valvul shkarkimi për shumë tifozë që mendojnë se iu është bërë një padrejtësi. Por jo vetëm nga ana e polemikave, pasi kjo ndeshje pa të vendoseshin rekorde, të thyhej hierarkia, të krijonte pakënaqësi dhe po ashtu la një kuriozitet te tifozët se cilët do të jenë 11 “gladiatorët” që do zbresin në fushë për duelin me të rëndësishëm të këtij grupi, atë me Serbinë.

* Përpara ndeshjes, grupime tifozësh të organizuar protestuan përpara ambienteve të Federatës Shqiptare të Futbollit. Për ata nuk ka pasur bileta të rezervuara në sektorin ku kanë qëndruar gjithmonë dhe kjo ka sjellë pakënaqësi të mëdha.

Sipas tyre është vetëm fillimi, ndërsa e habitshme është që edhe pse nuk morën bileta me marrëveshje nga FSHF-ja, askush nuk i ndaloi “Tifozat Kuq e Zi” që të vendoseshin në sektorin e tyre. Ata pasi nisi takimi, në shenjë proteste, model ky i parë edhe te tifozët në kampionatin italian, ku rasti i fundit është i atyre të skuadrës së Milanit që 15 minutat e para, largohen nga sektori i tyre dhe më pas rifuten. E njëjta gjë ndodhi edhe në ndeshjen e së hënës.

* Më herët, vetëm në ndeshje të veçanta, kur kundërshtari ishte i një niveli të lartë, mund të shihnim një stadium “Sold Out”. Në epokën Silvinjo, tifozët kanë qenë fantastikë dhe çdo ndeshje, duhet të kujtoheshe shumë herët për një biletë, ose mund të mbeteshe jashtë stadiumit. Duelit i fundit, reflektoi një ndryshim i cili u pa në shkallët e stadiumit. Tribuna karshi, sidomos kati i pare, i cili kishte një çmim prej 10 mijë lekësh të rinj për biletë, ishte më pak se gjysma e kapacitetit të vendeve.

* Dy statistika dalluan në ndeshjen me Andorrën për Kombëtaren shqiptare. Përqindja e mbajtjes së topit ishte rekord, me 85 %, kuqezinjtë nuk kishin dominuar ndonjëherë një kundërshtar në këto shifra. Tjetra ishte se Andorra nuk regjistroi asnjë goditje në portë apo jashtë saj. Ndeshje e fundit që Shqipëria kishte një situatë të ngjashme, ishte në fitoren 5- 0 me San Marinon në 8 shtator 2021, po në kualifikuese të Botërorit.

* Ngjarjet e veçanta vijojnë, sepse ajo mbrëmje ishte edhe për Myrto Uzunin. Sulmuesi u rikthye të shënonte me fanellën e Kombëtares që nga shtatori i vitit 2022, kur fluturimthi realizoi kundër Izraelit. Nëse do të numëronim golat e tij me klubet që nga ajo periudhë, janë plot 48 rrjeta të tundura. Me sa duket, Myrto prishi një “mallkim”.

* Dopieta e parë në karrierë me Kombëtaren për Manajn. Nga qëndrimi në stol në Uembli, Rei është “vrasës” i ekipeve modeste, kështu siç tregon edhe historiku i golave me Shqipërinë. * Brendimi i stadiumit. Nëse nga tribuna kryesore do të hidhje një sy përballë, mbi katin e dytë, ishte vendosur një ekran led rreth 80 metra, i cili sillte në vëmendje sponsorët e FSHF-së.

Së bashku me dy ekranët ku mund të shihje një përsëritje të aksionit apo vendimin e konfirmuar të sistemit VAR, të gjithë duhet ta pranojmë se stadiumi të jep përshtypjen sikur po ndjek një ndeshje në një stadium të ndonjë klubi të madh Europian.

* Broja altruist. Nëse para dëmtimit apo edhe në lojërat me klubet, Armando Broja ishte një lojtar i cili pëlqentë të mbante pak më shumë se të tjerët topin në këmbë dhe merrte guximin për të krijuar situata dhe për të tentuar portën, diçka e tillë ndodh sërish, por ndeshjen e fundit me Andorrën, por edhe në Angli, sulmuesi u shfaq në një tjetër version. Altruist dhe duke shërbyer për shokët, pavarësisht se në “Uembli” ai pasim nuk u shtrytëzua, në Tiranë Manaj e dërgoi në rrjetë.

* Duket që diçka nuk shkon në ambientin kuqezi dhe ndoshta pakënaqësitë mund të jenë shfaqur. Diçka që i dha sinjalet një ditë përpara ndeshjes me Andorrës, ku Jasir Asani mësoi se nuk do të ishte titullar dhe stërvitjen e mbylli me nervozizëm. Ishte hera e parë që trajneri nuk e preferoi anësorin si titullar që nga ndeshja e tij e parë në drejtim të Kombëtares.

Kjo u forcua pasi Silvinjo në takimin me Andorrën bëri vetëm tri zëvendësime, edhe pse kishte mundësi të aktivizonte dy lojtarë të tjerë, duke qenë se rezultati ishte 2-0. Përveç Asanit dhe Bajramit, të cilët luajtën vetëm me Anglinë, minuta fare nuk mori Enea Mihaj, Ernest Muçi dhe Medon Berisha, sepse Ardian Ismajli kishte probleme muskulare. Me sa duket, hierarkitë kanë ndryshuar në Kombëtare dhe në qershor me Serbinë e Letoninë, formacioni kuqezi mbetet një ekuacion më vete.