TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Egnatia vijon të jetë kryefjalë në futbollin shqiptar edhe përtej rezultateve sportive. Klubi rrogozhinas pavarësisht se merkatoja e janarit është mbyllur zyrtarisht, vijon të punojë për të përforcuar ekipin me elementë, të cilët vijnë nga kampionatet europiane.
Drejtuesit bardhëjeshil kanë arritur akordin me sulmuesin francez Youba Drame. 26-vjeçari aktualisht është një lojtar i lirë, pasi ka ndërprerë kontratën me klubin e Zlinit në kampionat çek të futbollit. Drame është një sulmues që luan në krahun e majtë dhe vjen tek Egnatia për të zëvendësuar vendin e lënë vakant nga Vusal Isgandarli. Ndonëse francezi nuk ka luajtur rregullisht me ekipin e Zlinit, rrogozhinasit besojnë se Drame ka cilësi të mjaftueshme për të bërë mirë në futbollin shqiptar.
Shpejtësia e anësorit të majtë ka bindur drejtuesit e Egnatias për ta bërë pjesë të klubit 26-vjeçarin, i cili pret dokumentacionin për të mbërritur në vendin tonë. Pavarësisht se vlera e lojtarit në tregun e transferimit është 230 mijë euro, lojtari që pritet të firmosë tek fituesit e Kupës së Shqipërisë i ka kushtuar arkave të klubit 0 lekë. Kjo për shkak se lojtari është pa kontratë, çka mundësoi edhe transferimin e tij në radhët e klubit 90-vjeçar. Youba Drame është produkt i ekipit të Usti nad Labem dhe në karrierën e tij ka shënuar vetëm 22 gola. Referuar “CV”- së së tij dhe shifrave, Drame nuk është një futbollist që të garanton pritshmëri edhe pse drejtuesit e Egnatias kanë treguar shpesh herë që kanë goditur me lojtarët e ofruar në merkato për tri vite me radhë.
DRAME GARANTON MODULIN 4-3-3 Trajneri Edlir Tetova ka dëshmuar se është simpatizant i modulit 4-3-3, një rreshtim që sipas tij i jep Egnatias ekuilibër dhe stabilitet në rezultate. Shifrat dhe ecuria e deritanishme i ka dhënë të drejtë teknikut durrsak mjafton të hedhim sytë nga tabela e klasifikimit. Megjithatë, largimi i Vusal Isgandarlit në merkaton e janarit natyrisht la boshllëk në krahun e majtë të sulmit. Futbollisti azer pati shënuar 6 gola dhe dhuruar 2 asiste për shokët e skuadrës, duke rezultuar golashënuesi i rrogozhinasve.
I gjendur në këto kushte Tetova ndryshoi modulin e të luajturit në këtë vit të ri kalendarik duke aplikuar formacionin 3-5-2. Edhe pse ky rreshtim prodhoi ecuri pozitive ku në 4 takime Egnatia grumbulloi 10 pikë dhe siguroi ndër të tjera edhe kualifikimin në 1/8 e Kupës së Shqipërisë, trajneri Tetova ka menduar se shërbimet e Drames i garantojnë skuadrës modulin e tij të preferuar 4-3-3. Jo vetëm kaq, por duke qenë se skuadra fokusin do ta ketë maksimal në të dy frontet, kampionat dhe Kupë, pasja e elementëve në repartin ofensiv shndërrohet në domosdoshmëri. Drame pritet të mbërrijë gjatë fundjavës në Shqipëri.