SPORT, 21 Nëntor 2023, 21:51

Nga Haland te Rajs, lojtarët më “të shtrydhur” të sezonit në Angli. Ja cilët janë 10 futbollistët më të aktivizuar

Nga Haland te Rajs, lojtarët më “të shtrydhur”

Axhendat e futbollistëve profesionistë në Angli po bëhen gjithnjë e më të ngarkuara. Dhe tifozët dhe trajnerët kanë shprehur gjithnjë shqetësimin e tyre se sa shpesh yjet e Premier Ligës duhet të zbresin në fushë. Por lista e mbushur me ndeshje nuk i ka penguar disa trajnerë që të luajnë me lojtarët e tyre më të mirë sa më shumë që të jetë e mundur.

Dhe tashmë ka edhe një listë të lojtarëve të Premier Ligës, të cilët kanë regjistruar më shumë minuta në fushë në të gjitha kompeticionet për klubet e tyre këtë sezon. Tre lojtarë të Arsenalit ndodhen në dhjetëshen e parë të klasifikimit, me Mikel Artetën trajnerin që luan rregullisht me skuadrën e tij më të mirë këtë sezon. Transferimi i Deklan Rajsit është i rëndësishëm për planet e spanjollit në “Emirates Stadium”, por ai do të duhet të tregohet i kujdesshëm që të mos e “djegë” mesfushorin e Anglisë. Transferimi më i shtrenjtë në historinë e “topçinjve”, prej 105 milionë paundësh, ka kaluar 1.484 minuta në fushë këtë sezon dhe renditet në vendin e dhjetë në Angli. Ben Uajt është lojtari i nëntë më i aktivizuar me tre minuta më shumë në fushë se shoku i tij i skuadrës, Rajs.

Dhe ndoshta më shqetësuesja për tifozët e Arsenalit është se Uilliam Saliba, ka luajtur 1.530 minuta tashmë këtë sezon. Qendërmbrojtësi është lojtari i tretë më i aktivizuar dhe vetëm një lojtar aktiv në fushë ka luajtur më shumë minuta se ai deri më tani. Aston Vila do të duhet të tregohet gjithashtu e kujdesshme me rikthimin e saj në futbollin europian, që do të thotë se edhe ata kanë tre lojtarë në listën e dhjetë më të aktivizuarve këtë sezon. Ezri Konsa, Xhon MekGin dhe Lukas Dinj kanë luajtur të gjithë mbi 1.500 minuta deri më tani dhe mund të kenë nevojë të menaxhojnë ngarkesën e tyre, edhe pse Unai Emeri mund të joshet për t’i mbajtur gjërat ashtu siç janë me skuadrën e tij, e cila renditet vetëm tre pikë larg kreut të tabelës.

Dyshja e portierëve Nik Poup dhe Andre Onana renditet gjithashtu në listë, me kamerunasin, i cili ka luajtur çdo minutë të çdo ndeshjeje të Mançester Junajtidit këtë sezon. Dy vendet e mbetura në listë janë ato të lojtarëve të Mançester Sitit, Erling Haland dhe Kajl Uoker. Haland humbi vetëm tre ndeshje për shkak të dëmtimit sezonin e kaluar dhe ishte një forcë e frikshme me rekordin e tij të mahnitshëm të golave, duke e udhëhequr Sitin drejt suksesit historik të tripletës.