TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kompeticionet më të rëndësishme të futbollit në Europë dhe më gjerë kanë nisur të ngrohin “motorët” për fazën vendimtare të sezonit, aty ku kanë filluar të bëhen edhe parashikimet e para se kush do kurorëzohet në frontet respektive. Bastian Shvajnshtaiger, si një ish-futbollist dhe analist me përvojë, ka veshur “kostumin” e parashikuesit të vjetër francez “Nostradamus” (Mishel de Nostradam, 1503-1566), i cili para 5 shekujsh ka lënë gjurmë me tezat e tij rreth të ardhmes së njerëzimit.
BUNDESLIGA- Bajer Leverkusen kryeson me diferencë prej 4 pikësh nga Bajerni dhe ka hedhur themele të sigurta si favorit për të ngritur trofeun pas 34 javësh, por ai ka zgjedhur bavarezët si triumfues këtë sezon.
PREMIER LIGA- Liga angleze si kurrë më parë në vitet e fundit ka futur në “valle” 5 skuadra pretendente në bazë të pikëve me Liverpulin, Arsenalin, Mançester Sitin, Totenhemin dhe surprizën Aston Vila. Pikërisht këtë të fundit ka piketuar si kampion Bastiani, duke sjellë jo pak habi.
LIGA E KAMPIONËVE- Kompeticioni më elitar në Europë, rang klubesh. Mançester Sitit e ka fituar për herë të fundit dhe kuotohet nga analistët si pretendent absolut, ndjekur nga Reali, Bajerni dhe Arsenali. Shvajnshtaiger këtu i ka qëndruar sërisht “besnik” Bajernit.
EUROPA LIGË- Tjetër kompeticion ku marrin pjesë skuadra me histori si Liverpuli, Milani, Bajer Leverkusen dhe Roma. Ndonëse të besuarit e Jurgen Klopit po shfaqin gjatë çdo jave siguri në lojë e rezultate, ish-mesfushori i “pancerave” i beson “aspirinave” si triumfator.
EUROPIANI- ”Euro 2024″ do të jetë ngjarja me rëndësishme sportive në ciklin 2023-2024, aty ku kombëtaret e kualifikuara do “përplasin brirët” për trofeun e lakmuar. Shqipëria do të jetë njëra mes tyre, ama 39-vjeçari gjerman ka zhgënjyer “pancerat” me përgjigjen, teksa përzgjedh përfaqësuesen e Anglisë si fituese.