SPORT, 27 Janar 2024, 21:04

Ndeshje dramatike me 8 gola, Vijareali nxjerr nga “shinat” Barcelonën

Ndeshje dramatike me 8 gola, Vijareali nxjerr nga “shinat”

Duel dramatik me 8 gola të shënuar ai mes Barcelonës dhe Vijarealit, teksa në fund ishin miqtë që festuan falë triumfit 3-5, në përballjen që i pati të gjitha. 

Fillimisht miqtë gjetën rrugën e rrjetës me Morenon në minutën e 22-të, por goli u anulua nga VAR. Për të parë festën e vërtet duhet të shkonte minuta e 41-të, kur Moreno do të tunde sërish rrjetën, teksa kësaj here goli ishte i vlefshëm.

Fragmenti i parë i lojës u mbyll me shifrat, 0-1, ndërkohë që në pjesën e dytë u shënuan plot 7 gola të tjerë. Një çmenduri e vërtetë.

Në minutën e 55-t, Vijareali dyfishoi shifrat me Akhomaç, ndërkohë që Barcelona arriti të përmbyse rezultatin në 3-2, falë golave të Gyndohan, Pedrit dhe autogolit të Bejli, në minutat 60, 68 dhe 71.

Kur u mendua se situata u kthye në favor të skuadrës së Ksavit, ishin miqtë ata që reaguan sërish, duke shtangur të pranishmit në shkallët e stadiumit.

Guedes fillimisht barazoi shifrat në 3-3 në minutën e 84. Teksa Sorloth dhe Moraesh i vunë kapakun kësaj mbrëmjeje të çmendur me dy golat e realizuar në minutat 90+9 dhe 90+11, duke bërë që sfida të përfundonte me shifrat 3-5. 

Kjo ishte disfata e tretë në kampionat për Barcelonën, që tashmë e sheh veten 10 pikë larg nga vendi i parë që mbahet nga Reali.

Ndeshje dramatike me 8 gola, Vijareali nxjerr nga “shinat”