SPORT, 6 Mars 2024, 23:16

Ndeshja heroike e Lajpcigut nuk mjafton, Reali kualifikohet me drithërima në çerekfinalet e Champions

Ndeshja heroike e Lajpcigut nuk mjafton, Reali kualifikohet me drithërima

Real Madrid ka kaluar në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve por skuadra e Karlo Ançeloti ka vuajtur shumë për të arritur këtë objektiv teksa eliminoi RB Lajpcig.

Pas fitores 1-0 në ndeshjen e parë në Gjermani, mendohej se Reali do ta kishte të thjeshtë në fushën e vet. Por madrilenët u shfaqën me një lojë aspak bindëse përballë tifozerisë së tyre, të kontrolluar mirë nga miqtë të cilët rrezikuan me Openda të bënin surprizën në dy raste.

Goli i Vinicius në pjesën e dytë i dha avantazhin Realit dhe mendohej se do të mbyllte kualifikimin. Por Lajpcigu barazoi rezultatin vetëm tre minuta më vonë me Orban dhe bëri që vijimi i ndeshjes të ishte i ethshëm deri në vërshëllimën përfundimtare.

Barazimi 1-1 kaloi në turin tjetër Realin, me skuadrën e Ançelotit që duhet të bëjë një përmirësim të ndjeshëm nëse synon që të fitojë këtë turne.

REAL MADRID-RB LAJPCIG 1-1
65′ Vinicius / 68′ Orban.