TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Merkatoja është një çështje e nxehtë te Tirana dhe disa skuadra të tjera të Superiores. Fakt është që bardheblutë janë të bllokuar pasi kanë për të shlyer detyrimin e Tim Vairinenit, Edon Hasanit, Asion Dajës, Orges Shehit. Teorikisht, detyrimet janë mbi 200 mijë euro, por bardheblutë kanë shlyer disa detyrime dhe shuma që ka bllokuar merkaton është më pak.
Klubi bardheblu po lëviz që të afrojë lojtarë. Fakt është që deri dje gjërat nuk kishin ndryshuar. Ama, ka një mundësi që Tirana të regjistrojë lojtarë të rinj. Klubi mund t’i regjistrojë te 19 apo 21 vjeçarët dhe pas një ndeshje të luajtur me këto skuadra, futbollistët mund të kalojnë në skuadrën e parë. Një mënyrë perfekte për lojtarë të rinj. Gjithsesi, skuadra mund të marrë futbollistë deri në 23 vjeç dhe në një numër të kufizuar. Një procedurë që mund të bëjë bardheblutë të afrojnë lojtarë këtë janar.
MERKATO – Me Ahmatajn e konfirmuar skuadra do të jetë e njëjta që luajti në 2023-in. Këtë gjë ua ka bërë me dije edhe presidenti Refik Halili në një takim para vitit të ri me skuadrën. Halili ka thënë se skuadra nuk ndryshon si dhe ka besim te ky grup, që mund të bëjnë gjëra të mëdha deri në fund të sezonit. Kjo do të thotë se merkatoja do të jetë e limituar. Fakt është që sulmi dhe mesfusha janë dy repartet për të cilët ka më shumë nevojë skuadra. Me Hasanin e Hilën larguar dhe pa një shkatërrues të mirëfilltë, Tirana kërkon një bomber dhe një mesfushor qendre. Bardheblutë kanë 5 lojtarë për të njëjtin rol në mesfushë dhe duhet patjetër një “gjashtësh”.
Tirana kërkon edhe bomberin klasik që të shënojë gola. Për t’u parë mbetet nëse skuadra do të afrojë mbrojtës, ndonëse reparti është i kompletuar. Për t’u sqaruar ka mbetur edhe çështja e zhbllokimit të merkatos, që është situatë më vete. Dëshira kanë pasur bardheblutë, madje edhe me emra. Tirana ka kërkuar Drilon Hazrollajn, lojtarin e shumëkërkuar në Kosovë dhe që Ballkani po bën të pamundurën ta marrë. Hazrollaj këtë sezon me FC Malishevën ka shënuar tetë gola dhe është vetëm 19 vjeç. Bardheblutë kanë kërkuar nga Kosova edhe Mustafa Banë nga Trepça.