SPORT, 13 Shkurt 2024, 20:38

Më të mirët dhe zhgënjimet, zbuloni notat dhe emrat që spikatën në javën e 23-të të Superiores

Më të mirët dhe zhgënjimet, zbuloni notat dhe emrat që

Java e 23-të e Kategorisë Superiore ka dhuruar rezultate interesante dhe ka konfirmuar formën që po kalojnë disa skuadra, me rënien e vazhdueshme të një pretendenti si Partizani, apo edhe ambiciet në rritje të Dinamos që triumfoi pikërisht në derbin përballë të kuqve. Në vijim, “Panorama Sport” ju fton të shihni më të vlerësuarit dhe ata që nuk u shfaqën në lartësinë e duhur në javën që u mbyll:

DINAMO 8 – Epiteti i “nëndetëses” doli në pah në derbi, duke arritur një triumf të çmendur kundër Partizanit. Tri fitore radhazi dhe tashmë blutë janë me sytë nga “Final 4”. Fakti që kanë edhe një ndeshje të prapambetur për të luajtur kundër Skënderbeut më 21 shkurt, i bënë edhe më optimistë dinamovitët për ngjitjen në tabelë. Mehmeti po i merr më të mirën grupit të lojtarëve, ndërsa po dalin gjithnjë e më shumë në pah cilësitë e Markut, Zabërgjës, Vilës dhe Kaçorrit.

VLLAZNIA 7 – Një skuadër fituese edhe atëherë kur nuk bën lojë brilante. Shkodranët vuajtën jo pak kundër Teutës, por ama në fund dolën me tri pikë. Këtë herë fitorja erdhi nga stoli, pasi Mehdi Çobam, në prekjen e parë të topit sapo u aktivizua, arriti të shënonte golin me vlerën e triumfit. Shkodranët kërcënojnë tashmë Partizanin për vendin e dytë, ndërsa të shtunën presin Egnatian kryesuese.

Më të mirët dhe zhgënjimet, zbuloni notat dhe emrat që

SKËNDERBEU 7 – Një skuadër cinike, që shënon shpejt dhe më pas administron deri në fund rezultatin. Kundër Kukësit rival për mbijetesë ishte një nga fitoret më të rëndësishme, paçka se loja që bëri Skënderbeu nuk ishte e mirë dhe këtë e pranoi vetë Gvozdenoviç.

ERZENI 5.5 – Po kthehet në një “makth” për Tiranën këtë sezon. Edhe në “Air Albania”, shijakasit treguan forcën që kanë, duke marrë një pikë të artë në luftën për t’iu larguar fundit të tabelës. Supergoli i Zekës nuk mjaftoi që debutimi i Bejzades në stol të ishte me fitore.

LAÇI 5.5 – Luan mirë në Rrogozhinë, duke vënë në vështirësi të madhe Egnatian. Rrezikon disa herë portën dhe godet gjithashtu shtyllën, ndërsa portieri Dajsinani bën heroin me një penallti të pritur.

EGNATIA 4.5 – Skuadra e Tetovës fiton terren edhe kur merr vetëm një pikë kundër Laçit. Në letër duket si hap fals në shtëpi, por rezultoi e kundërta, pasi humbja e Partizanit, bëri që rrogozhinasit të shkojnë +11 pikë nga rivalët më të afërt, pasi tani u shtua edhe Vllaznia.

Më të mirët dhe zhgënjimet, zbuloni notat dhe emrat që

TIRANA 4.5 – Oshilacionet vazhdojnë dhe kundër Erzenit nuk shkuan më shumë se një barazim. Ahmataj kishte bërë disa lëvizje në formacion, por nuk rezultuan efikase. Bardheblutë rrezikojnë tashmë “Final 4”.

TEUTA 4 – Në Shkodër bën një paraqitje të mirë dhe meriton të dalë me pikë nga fusha, por një pakujdesi në fund e ndëshkon. Loja e durrsakëve është në rritje, por mungon vazhdimësia në rezultate.

KUKËSI 4 – E pëson shpejt në Korçë dhe më pas arrin të vërë në vështirësi serioze Skënderbeun, duke krijuar disa momente për shënim. Me pak fat mund të kishte marrë të paktën një pikë në këtë transfertë, teksa mund dhe duhet të kishte shfrytëzuar më mirë rastet.

PARTIZANI 4 – Kampionët janë në rënie të lirë! Pjesa e parë kundër Dinamos krijoi idenë se po shkonin drejt një fitoreje të thjeshtë në derbi, por në pjesën e dytë u shpërfytyruan totalisht. Një paraqitje për t’u harruar dhe kambanë alarmi për vazhdimësinë.

Më të mirët dhe zhgënjimet, zbuloni notat dhe emrat që