SPORT, 6 Janar 2024, 23:21

Mbyllet dita e pestë e stërvitjeve në Antalia, kapiteni Hoxha në formë. Edhe trajneri Shehi nis vrapimet te Partizani

Mbyllet dita e pestë e stërvitjeve në Antalia, kapiteni Hoxha

Partizani ka mbyllur ditën e pestë stërvitore të mini-fazës që po zhvillon në Antalia. Të premten të kuqtë zhvilluan edhe ndeshjen e parë miqësore, ku trajneri i ri Orges Shehi debutoi me barazim 1-1 ndaj holandezëve të Volendamit. Në këtë test të kuqtë treguan gjendje të mirë, gjë e cila konfirmohet edhe nga pamjet që klubi servir nga kampi stërvitor në Turqi.

Nga pamjet duket qartë që portieri veteran dhe njëherësh kapiteni i parë i ekipit, Alban Hoxha, e ka kaluar problemin që e shoqëroi në mbylljen e pjesës së parë të sezonit dhe aktualisht gëzon formë të mirë duke e rritur konkurrencën me portierin Qirko për një vend titullari. Por me “vrap” e ka marrë aventurën edhe trajneri Orges Shehi, i cili gjatë seancave stërvitore preferon që të ushtrohet njëlloj me lojtarët.

Këtë gjë e tregojnë pamjet ku trajneri vrapon bashkë me lojtarët. Tjetër lajm i kirë që tifozët e kuq kanë marrë sot, ka qenë goditja që klubi ka bërë në merkato, duke kthyer pas një viti sulmuesin Xhuliano Skuka. Dibrani u shit vjet nga Partizani për shifrën rekord, 1.4 milionë euro, te francezët e Metzit. Skuka vjen te “Demat e Kuq” në formë huazimi deri në fund të sezonit 2023-2024, duke qenë një forcë shtesë për Partizanin në fazën sulmuese.