SPORT, 23 Dhjetor 2023, 15:59

Lautaro dorëzohet pas 89 ndeshjesh, ja kur pritet rikthimi i kapitenit të Interit

Lautaro dorëzohet pas 89 ndeshjesh, ja kur pritet rikthimi i kapitenit

Dukej i pandalshëm dhe i pathyeshëm, por erdhi koha që Lautaro Martinez ta “humbasë imunitetin” e tij dhe të detyrohet të qëndrojë larg fushave.

Pas shqetësimit muskulor të ndjerë në ndeshjen e Kupës së Italisë, kapiteni zikaltër ka kryer dje ekzaminimet instrumentale, që kanë konfirmuar tendosjen e muskulit aduktor të këmbës së majtë dhe si pasojë, edhe mungesën e tij në ndeshjen e sotme ndaj Leçes. Argjentinasi nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit, edhe për sfidën e fundit të këtij viti ndaj Xhenoas dhe pritet të rikthehet në fushë në 2024-ën, kur Inzagi shpreson ta ketë gati për Veronën më 6 janar. Deri atëherë, 26-vjeçari duhet t’i nënshtrohet rikuperimit, me Interin që duhet të tregojë që di të fitojë pa Lautaron, një risi për zikaltrit

REAGIMI – Ashtu si ka treguar vetë në postimin në rrjetet e tij sociale, kapiteni ka qenë i pranishëm në 89 ndeshje radhazi për zikaltrit edhe pse sot, nuk do të mund të japë kontributin e tij në sfidën me Leçen.

“Jam shumë i zhgënjyer me mënyrën se si shkoi ndeshja e së mërkurës mbrëma, Kupa e Italisë është një kompeticion që na intereson shumë, duke qenë se kemi fituar dy edicionet e fundit dhe do të dëshironim të vazhdonim rrugën, skuadra dha gjithçka për ta bërë të ndodhte. Tani fokus total tek objektivat e tjerë shumë të rëndësishëm të mbetur”, shkroi Lautaro, duke vazhduar të përditësojë gjendjen e tij: “Pas 89 paraqitjeve radhazi, për fat të keq, jam i detyruar të ndalem dhe për këtë arsye jam i zhgënjyer që nuk mund t’i ndihmoj shokët e mi të skuadrës. Për disa ditë do të pushoj i detyruar për t’u rikuperuar dhe për t’u kthyer sa më shpejt”.

HERA E FUNDIT – Mungesa e fundit e Lautaro Martinezit, për shkak të një problemi fizik, ka qenë në prill 2019. Në atë kohë në stolin e Interit ishte Luçiano Spaleti dhe roli i argjentinasit në skuadër nuk ishte kaq thelbësor, duke qenë se kapiten ishte një tjetër argjentinas, Mauro Ikardi. Që atëherë kapiteni aktual ka munguar për shkak kartonësh apo për të parandaluar një dëmtim, por në rastin e fundit ka qenë gjithmonë i grumbulluar. Në 21 gusht 2021 kur u luajt Inter-Xhenoa, sulmuesi nuk ishte i pranishëm për shkak kartonësh, për të njëjtën arsye që mungoi ndaj Xhenoas në të njëjtin sezon.

Po në atë sezon Lautaro mungoi, pasi nuk u aktivizua ndaj Romës për zgjedhjen e Inzagit për një lodhje muskulore, por ishte gjithsesi në pankinë. Nga ana tjetër, në sezonin e shkuar Lautaro Martinez luajti të gjitha ndeshjet për Interin e Simone Inzagit. Rruga e qartë, 38 nga 38 në kampionat, 13 nga 13 në Champions, 1 nga 1 në Superkupën e Italisë, 5 nga 5 në Kupën e Italisë. 57 ndeshje me 28 gola të shënuar, nga të cilët 21 në kampionat. Tani jemi në 17 gola në 23 ndeshje sezonale, një mesatare e shkëlqyer dhe ka të gjitha shanset që me rikthimin e tij, të përmirësojë edhe më tej rekordin e golave.