SPORT, 26 Dhjetor 2023, 19:00

Koha e pritjes mbaroi, Orges Shehi ulet në stolin e Partizanit, data e prezantimit

Koha e pritjes mbaroi, Orges Shehi ulet në stolin e Partizanit, data e

Orges Shehi është zyrtarisht trajner i Partizanit. Pritjes i erdhi fundi dhe klubi i kuq ka dhënë njoftimin nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.

Pas një periudhe shumë pozitive te Tirana, tekniku Shehi ka ndërruar krah dhe tashmë do drejtojë rivalët e bardhebluve. Në publikimin e bërë nga Partizanit, shkruhet se prezantimi i trajnerit të ri është programuar për të mërkurën në orën 11.00.

“Të mërkurën  11:00 në ambjentet e  “Arena e Demave”, klubi prezanton Orges Shehin përpara mediave” – Shkruan klubi. Shehi nuk e gjen këtë skuadër në momentin më të mirë të mundshëm. Partizani, në 5 ndeshjet e fundit ka barazuar katër prej tyre dhe ka humbur një. Ndeshja e radhës është ndaj Teutës, me 13 janar.

Skuadra nga kryeqyteti ka ndërruar edhe dy herë të tjera trajnerin këtë sezon futbollistik. Edicioni filloi me Zekic në stol, ndërsa frenat e skuadrës më pas i mori Arbër Abilaliaj. Për trajnerin 46-vjeçar nga Durrësi, kalimi te ky klub është sfidë më vete dhe synimi është natyrisht fitimi i çdo trofeu të mundshëm. Me interes pritet të shihet sesi do jetë Partizani i tij, e për këtë do na duhet të presim.