SPORT, 17 Prill 2024, 09:35

"I thashë gjyqtarit se ka qenë katastrofë", Xavi sulmoi gjyqtarin pas eliminimit të Barcelonës nga Liga e Kampionëve

"I thashë gjyqtarit se ka qenë katastrofë", Xavi sulmoi

Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez, ka shprehur pakënaqësinë e tij ndaj gjyqtarëve të ndeshjes, të cilët i akuzon për përgjegjësinë në eliminimin e skuadrës nga Liga e Kampionëve.

Në përballjen e tyre kundër Paris Saint-Germain në terrenin e tyre, Barça u ndëshkua pasi humbi me rezultatin e thellë 4-1, duke i dhënë lamtumirën garës në fazën e çerekfinaleve.

Situata për skuadrën katalunase u përkeqësua kur mbrojtësi i tyre, Ronald Araujo, u përjashtua nga loja me karton të kuq në minutën e 29-të, duke i lënë ata të luajnë me 10 lojtarë për më shumë se një orë lojë.

“Është për keqardhje, Liga e Kampionëve ka përfunduar për ne për shkak të gabimeve të gjyqtarëve. I thashë gjyqtarit se ka qenë katastrofë. Ky është realiteti”, ka thënë Xavi pas ndeshjes.

Më tej, Xavi vetë u ndëshkua me të kuq në minutën e 56-të për sjelljen e tij gjatë një përplasjeje me gjyqtarin, pas një sërë protestash nga bankina e Barcelonës.

Kjo ishte kthesa kyçe në ndeshje që shfaqi ndikimin që vendimet e gjyqtarëve mund të kenë në rrjedhën e një ndeshjeje të rëndësishme. 

Paris Saint-Germain e ka eliminuar Barcelonën nga Liga e Kampionëve me rezultat të përgjithshëm 6-4, për të kaluar në gjysmëfinale.

Skuadra katalunase e nisi ndeshjen më mirë, duke sulmuar qysh nga fillimi, por që as parisienët nuk u tërhoqën.

Nga loja e hapur, pas vetëm 12 mintuash lojë, Lamine Yamal e gjeti për mrekulli Raphinhan brenda zonës, me këtë të fundit që e futi me lehtësi topin në rrjetë.

Por, Barcelona mbeti me dhjetë lojtarë në fushë, kur Ronald Araujo bëri një ndërhyrje të pamenduar mirë.

Mbrojtësi uruguaian kapi Bradley Barcolan para zonës së rreptësisë në minutën e 29-të, ndërsa gjyqtari e ndëshkoi direkt me karton të kuq.

Xavi u detyrua të largonte nga loja Yamalin në minutën e 34-të, duke inkuadruar Inigo Martinez në mbrojtje.

PSG ka sulmuar me të gjitha forcat në minutat e mbetur të pjesës së parë, ndërsa ia doli të barazonte shifrat në 1-1 në minutën e 40-të me anë të ish-lojtarit të Barcelonës, Ousmane Dembele.

Pjesa e dytë nisi më mirë për mysafirët, që shënuan për 2-1 me anë të Vitinhas, që realizoi në minutën e 54-të.

Pas vetëm dy minutash, për shkak të protestave, Xavi u ndëshkua direkt me karton të kuq, për t’u larguar nga bankina e katalunasëve.

Për më keq në anën e Barcelonës, PSG fitoi një penallti, të cilën në gol e konvertoi Kylian Mbappe (61’) për rezultatin 3-1.

Mysafirët nuk u ndalën me kaq, pasi shënuan edhe të katërtin, sërish me anë të Mbappes (89′), për rezultatin 4-1 dhe atë të përgjithshëm 6-4

Në gjysmëfinale, PSG do të përballet me Borussia Dortmundin, që eliminoi Atletico Madridin.