TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ardit Tahiri është “de facto” një lojtar i Dinamos. Sulmuesi pritet të zyrtarizohet që sot si pjesë e 18 herë kampionëve të Shqipërisë, të cilët ishin në kërkim të një përforcimi në repartin e avancuar.
Akordi mes palëve në fakt ishte arritur kohë më parë, por finalizimi i këtij transferimi u komplikua disi nga fakti se Drita, skuadra ku luajti në gjysmën e parë të sezonit, deshi ta mbante Tahirin dhe i ofroi kontratë të re. Por Dinamo këmbënguli, pasi e konsideron sulmuesin 21- vjeçar një element shumë të rëndësishëm për projektin e saj. Po ashtu, edhe vetë lojtari ishte i vendosur për të kaluar te Dinamo, duke i dhënë përparësi projektit të saj. Vërtet Tahiri nuk ka një eksperiencë shumë të madhe, por në Kosovë e vlerësojnë si një nga talentet më të madha. Me Kosovën U-21 lojtari ka pasur një ecuri të mirë, duke shënuar vazhdimisht, ndërsa me Dritën nuk ka pasur hapësirën e nevojshme.
GODITJE Pikërisht për shkak të mundësive të pakta që i janë dhënë, sulmuesi nuk ka mundur të bëjë shpërthimin e tij në elitën e futbollit kosovar. Shpërthim që drejtuesit e Dinamos besojnë shumë se Tahiri do ta bëjë me fanellën blu, duke rritur performancën individuale, por edhe skuadrën. Klubi me seli në Arbanë është i bindur se ka bërë vërtet një goditje më afrimin e Tahirit. Kryeqytetasit kanë pasur nevojë për një sulmues qendre me karakteristikat e Tahirit, pasi kanë pasur në organikë vetëm Kaçorrin. Lojtarët e tjerë të sulmit, Vila, Zabërgja, Denison, Tusha, Bardhi, Karamba dhe afrimi i fundit Bamba, luajnë në krahë, apo pas sulmuesit kryesor. Me ardhjen e 21-vjeçarit rritet rrjedhimisht edhe konkurrenca për formacionin. Tani mbetet të shihet, nëse Tahiri do të arrijë ta bëjë goleadorin e munguar të Dinamos.
MERKATO Përveç Tahirit, klubi blu kërkon ta përforcojë skuadrën edhe me lojtarë të tjerë, në mesfushë sidomos. Një pistë është Nijaz Jusufi, 20-vjeçari që vjen nga Vardari, por që ende nuk ka firmosur. Por ai llogaritet më tepër si një lojtar për të ardhmen. Pas derbit me Tiranën janë intensifikuar lëvizjet për të sjellë në skuadër një mesfushor me eksperiencë që të bëjë liderin, bashkë me Andonin. Mundësitë janë të kufizuara, por drejtuesit e Dinamo po shohin me kujdes çdo pistë.