SPORT, 27 Janar 2024, 09:18

Dinamo pret ish futbollistin e Tiranës, blutë rikthehen në pistën fillestare për mesfushën

Dinamo pret ish futbollistin e Tiranës, blutë rikthehen në

Mesfusha ishte një nga përparësitë e merkatos së Dinamos për janarin, por pak ditë para mbylljes së saj, nuk ka mbërritur asnjë lojtar për këtë sektor.

Ndeshjet me Tiranën dhe Laçin treguan se afrimi i të paktën një mesfushori me eksperiencë është domosdoshmëri. Aq më tepër që në ndeshjen e radhës me Kukësin mungon edhe Fatjon Andoni, i cili është një nga tre mesfushorët që blutë kanë në organikë aktualisht. Një alternativë është braziliani Savio Roberto, i cili së fundmi ka luajtur në Finlandë me klubin VPS, por ai ka edhe një ofertë tjetër joshëse nga Azia, ndaj dhe drejtuesit e klubit kryeqytetas po shohin çdo opsion të mbetur, para se të arrijnë një marrëveshje.

PRAPASKENAT Në këtë situatë, te Dinamo i janë kthyer edhe një herë pistës së mesfushorit kosovar, Vesel Limaj. Ish-lojtari i Tiranës, Kukësit dhe Bylisit në Superiore, ishte emri i parë që u përfol në merkaton e dimrit, por më pas u zbeh si mundësi. Tani kryeqytetasit po këmbëngulin për t’a marrë nga Ballkani, duke qenë se bëhet fjalë për një lojtar që e njeh mirë Superioren. Edhe në aspektin taktik ai i bën punë Dinamos, pasi luan në pozicionet 8 dhe 10, aty ku ka më shumë nevojë Dinamo aktualisht.

Ballkani pritet të shesë mesfushorin Edvin Kuç dhe trajneri Ilir Daja nuk dëshiron të privohet nga Limaj. Situata mbetet e komplikuar, por blutë shpresojnë ende. Në anën tjetër, po shihen edhe mundësi të tjera, kryesisht lojtarë të huaj. Deri më 31 janar duhet bërë një goditje, por me Kukësin, Dinamo me siguri do të luajë me kontingjentin aktual. Edhe nëse vjen ndonjë lojtar këto ditë, vështirë se mund të jetë gati për të hënën.