SPORT, 6 Dhjetor 2023, 20:29

Debutoi me Spanjën në tetor, Bayern Munchen siguron transferimin e shokut të skuadrës së Uzunit

Debutoi me Spanjën në tetor, Bayern Munchen siguron transferimin e

Anësori spanjoll Bryan Zaragoza do të transferohet te Bayern Munich nga Granada për sezonin 2024/25. Lajmi është konfirmuar nga klubi gjerman të mërkurën, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale. Në një deklaratë, bavarezët tregojnë për detajet e kontratës. Zaragoza do të firmosë një marrëveshje pesëvjeçare deri më 30 qershor 2029.

Drejtori sportiv i Bayern Munichut, Christoph Freund, lavdëroi lojtarin, në një intervistë të dhënë. “Bryan Zaragoza është një anësor shpërthyes, shumë i shpejtë dhe jashtëzakonisht i shkathët, i cili mund të luajë në të dyja anët. Ai është i paparashikueshëm, mund të shënojë dhe është shumë i mirë  në lojën një kundër një”, tha Freund.

Futbollisti 22-vjeçar, shok skuadre me Myrto Uzuni deri më tani ka zhvilluar 51 paraqitje për Granadën, duke shënuar 10 gola dhe duke dhuruar tre asistime. Sulmuesi bëri debutimin e tij për ekipin kombëtar spanjoll në ndeshjen kualifikuese të UEFA EURO 2024 të tetorit 2023 kundër Skocisë.