TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Fillimi i Barcelonës në vitin 2025 duket spektakolar. Për këtë mjafton t’u hedhim një sy rezultateve. Nëse të gjithë u lanë gojëhapur nga fillimi i sezonit të ekipit, në të cilin fituan nëntë dhe humbën dy në njëmbëdhjetë ndeshjet e tyre të para, në fillim të këtij viti kalendarik ata i kanë përmirësuar shifrat me të njëjtin numër fitoresh, por dy barazime në vend të dy humbjeve. Dhe, përveç kësaj, Barcelona tani ka rekorde më të mira shënimesh sesa në gusht dhe shtator. Rezultati është se, pasi u shkëput nga La Liga gjatë atyre dy muajve katastrofik (nëntor dhe dhjetor), skuadra është kthyer sërish në lojë dhe mbi të gjitha, varet nga vetja për të fituar kampionatin.
Në dy ndeshjet e fundit, Barcelona i ka marrë pesë pikë Realit të Madridit dhe tani diferenca mes tri skuadrave të kreut është vetëm 2 pikë me 15 ndeshje për t’u luajtur deri në fund të sezonit në La Liga.
Përveç kësaj, në vitin 2025 ata kanë arritur të fitojnë titullin e parë të sezonit (Superkupën e Spanjës) me një fitore dërrmuese ndaj Realit dhe kanë siguruar edhe kalimin direkt në 1/8 e finaleve në Ligën e Kampionëve.
GOL NGA QENDRA – Është me të vërtetë një fillim i mrekullueshëm, por edhe pse Barcelona po marshon, ka gjëra që duhen përmirësuar, siç ra në sy edhe në ndeshjen kundër Seviljes. Goli i Seviljes ishte i pari që Barcelona pëson nga qendra. Një gol që erdhi jo pse pozicioni jashtë loje i Araujos u mbrojt keq, por sepse skuadra e Garsia Pimientas mundi të kalonte përballë Sheznit me katër pasime dhe sa hap e mbyll sytë. Hansi Flik nuk ishte i lumtur për këtë gol.
KARTONËT E KUQ – Një tjetër aspekt ku kërkohet përmirësim është disiplina dhe shmangia e rreziqeve artificiale për të evituar çuarjen dëm të punës së mirë të bërë. Në këtë drejtim, kartoni i kuq ndaj Fermin Lopezit është një shembull i qartë. Me rezultatin 1-3, nuk mund të bëhet një ndërhyrje e tillë kur kishte mbetur edhe gjysmë ore lojë. E njëjta gjë ndodhi edhe ndaj Seltës, kur Kasado u përjashtua me karton të kuq dhe skuadra humbi dy pikë, sepse galicianët arritën të barazonin me një lojtar më shumë. Këto janë gabime që duhen korrigjuar. Skuadra duhet të piqet në këtë aspekt, edhe pse trajneri është i vetëdijshëm se këto janë mëkate të rinisë. “Jam i sigurt se ky karton i kuq ka qenë një mësim për Fermin”, tha Flik pas ndeshjes.
KONTROLLI NË INFERIORITET – Ajo që ndodhi në Vigo nuk ndodhi në Sevilje, sepse skuadra e Hansi Flik luajti një gjysmë ore të shkëlqyer, pa lejuar që Sevilja të rikthehej në lojë. Nën komandën e Pedrit, Barcelona administroi mjaft mirë epërsinë e dy golave me një lojtar më pak. Ky është një hap përpara për skuadrën që të dijë të kontrollojë një ndeshje që u ndërlikua. Barcelona diti të mbrohej poshtë kur ishte e nevojshme.
PËRMIRËSIME INDIVIDUALE – Edhe pse ka ende disa gjëra që duhen përmirësuar, disa prej të cilave u evidentuan edhe në ndeshjen kundër Atalantës, performanca e përgjithshme e skuadrës është e shkëlqyer. Aftësia e tij për të shënuar gola është e mrekullueshme. Nuk ka asnjë ekip në Evropë që ka rekorde më të mira në sulm. Përveç kësaj, në mesfushë përmirësimi i lojtarëve si De Jong është shumë i rëndësishëm. Barcelona ka arritur të rifitojë shpejtësinë e saj të manovrës dhe është rikthyer në luftën për La Ligën.