SPORT, 21 Dhjetor 2024, 17:02

Asllani arrin legjendat, shqiptari bashkohet me “yjet” që kanë shënuar nga kornia

Asllani arrin legjendat, shqiptari bashkohet me “yjet” që

Përpara e tij e bëri një nga idhujt e tifozëve zikaltër. Alvaro Rekoba, uruguajani tepër i talentuar, shënoi nga goditja e këndit në ndeshjen e tij të fundi për Interin, në sfidën ndaj Empolit në “San Siro”, ndërsa ekipi fitoi titullin në 2007. Kristian Asllani përsëriti pikërisht të njëjtën gjë, e ndoshta asnjë legjendë tjetër zikaltër nuk ia ka dalë për të realizuar një rrjetë kaq të veçantë. Atë që quhet “goli olimpik”. Mesfushori i kombëtares shqiptare është bashkuar me disa nga “perënditë” e futbollit pas mrekullisë që bëri në “San Siro” në ndeshjen e Kupës së Italisë ndaj Udinezes, fituar 2-0.

Anglezi i famshëm Dejvid Bekam ia ka dalë shumë vite më parë, ndërsa luante tek Los Anxhelos Galaksi, në Ligën Profesioniste Amerikane. Në një njëjtin kampionat, në “Tokën e Premtuar”, këtë veprim klasi e bëri edhe sulmuesi i shkëlqyer francez, Tieri Henri. Ish-ylli i Arsenalit, Juventusit dhe Barcelonës, realizoi me fanelën e Red Bullit të Nju Jorkut. Ndër emrat më të vonshëm, është gjermani elegant Toni Kros. Mesfushori shënoi direkt nga këndi në emër të Realit në 2020, në gjysmëfinalen e Superkupës së Spanjës kundër Valencias.

Pikërisht këto ditë, në të njëjtën kohë me Asllanin, ia doli edhe koreanojugori Heung-Min Son, për Totenhemin kundër Mançester Junajtidit në Kupën e Ligës së Anglisë. Në Gjermani e ka bërë dy vjet më parë një emër aspak i njohur si Çima Okoroxhi në ndeshjen e kategorisë së dytë, Zandhauzen-Hanover.

Natyrisht, nuk mund të mungonin legjenda të tilla si Roberto Karlos apo Ronaldinjo, pasi Brazili s’ka sesi të mos ketë futbollistë të aftë për të shënuar nga goditja e këndit. Gjithsesi, ai që cilësohet më i miri yll i epokës, e ndoshta i të gjitha kohëve, Lionel Mesi, nuk ka mundur të shënojë një gol të tillë, edhe pse ka realizuar thuajse në të gjitha mënyrat e tjera të mundshme.