TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Artan Bano është një emër i njohur i futbollit shqiptar, i cili dikur ka dalë kampion me Partizanin, ndërsa në karrierën si trajner, krahas skuadrës së vendlindjes, Lushnjës, Shkumbinit, Tomorit, Besëlidhjes dhe Butrintit, ka drejtuar gjithashtu edhe Egnatian.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, 57-vjeçari që ka luajtur edhe në elitë si pjesë e rrogozhinasve dy dekada më parë, i bënë një analizë ecurisë së Egnatias, si dhe asaj që prodhoi Superiorja në këto dy faza të para.
Artan, çfarë përshtypje ju ka bërë Egnatia në vitin që po lëmë pas?
Në optikën time, viti 2023 ka rezultuar magjik për një klub si Egnatia, e cila nuk ka një fanellë që peshon në historinë e futbollit tonë. Më ka impresionuar rendimenti i rrogozhinasve, pasi janë treguar të barabartë mes të barabartëve në Superligë. Të kënaqin nga mënyra sesi luajnë dhe pavarësisht rezultatit, Egnatia nuk i vjedh askujt asgjë. Për këtë, një kontribut të jashtëzakonshëm ka presidenti i klubit, Agim Demrozi i cili për mendimin tim është një shembull fantastik sesi menaxhohet një klub në vendin tonë. Për mua Egnatia është ekipi i vitit 2023, pavarësisht se ka pasur ulje-ngritjet e saj.
E prisnit që rrogozhinasit të fitonin Kupën dhe ta mbyllnin vitin në vendin e parë si kampionë dimri?
Për të qenë i sinqertë, nuk e prisja këtë performancë, por nga ndeshja në ndeshje, ekipi u kolaudua dhe me meritë fitoi Kupën, që është trofeu i dytë për nga rëndësia në futbollin tonë. Natyrisht ky është trofeu më prestigjioz në historinë e Egnatias. Këtë vit, edhe pse luajti për herë të parë në Europë, ka pasur njëtrajtshmëri në rezultate. Në fakt, klubet shqiptare që luajnë në Europë, cedojnë disi deri në dhjetor, por nuk ndodhi kështu me rrogozhinasit. Me meritë janë në vendin e parë, madje me pak kujdes dhe fat mund të kishin edhe më shumë pikë të grumbulluara, duke u shkëputur më tej në renditje.
Nga ajo që keni parë, çfarë mendoni se nuk shkoi tek Egnatia në dy takimet e fundit, në finalen e Superkupës ndaj Partizanit dhe duelin e humbur thellë 0-5 kundër Tiranës?
Çdo ekip ka një moment “jo”, ndërsa Egnatias i ndodhi tani. Në finalen e Superkupës kundër Partizanit luajti shumë mirë, por ishte i pafat, pasi u ndëshkua nga një gabim fatal i portierit dhe nuk mundi të barazonte shifrat me penallti. Partizani nuk prodhoi thuajse asgjë, por ky është futbolli. Ndërsa me Tiranën, ekipi vuajti mungesat dhe ekuilibrat u prishën pas daljes me karton të kuq të Aleksit. Për fat të mirë, skuadra ka kohë të analizojë mirë këtë ndeshje dhe të ridimensionohet në merkaton e janarit.
Sa shanse kanë rrogozhinasit të fitojnë titullin këtë sezon?
Shanset janë të mëdha, pasi kualitetet nuk i mungojnë skuadrës. Me dy apo tre përforcime në merkaton e janarit, ekipi konsolidohet për të përballuar deri në fund sezonin. Egnatia e ka treguar forcën e saj dhe për mua është një nga favoritet kryesore për të fituar titullin.
Cilat skuadra mendoni se do të rivalizojnë deri në fund për titullin?
Në gjykimin tim, Egnatia dhe Partizani kanë diçka më shumë, por nuk ngelen pas Tirana dhe Vllaznia. Do të jenë këto ekipe që do të matin forcat për të arritur te trofeu. Me ndeshjet teke favorizohet ekipi më kompakt dhe ai që tregohet racional. Megjithatë, deri në maj është një udhëtim i gjatë.
Si trajner prej shumë vitesh, keni ndonjë këshillë për Edlir Tetovën?
Tetova është një emër i ri në trajningun shqiptar, por që ka arritur rezultate të kënaqshme me Egnatian. Ka filozofinë e tij dhe më pëlqen nga mënyra sesi e rreshton ekipin në fushë dhe si e përgatit ndeshjen.
Çfarë mendimi keni për skemën me “Final 4” për skuadrën kampione?
Më duket një eksperiment i destinuar të dështojë. Është absurditet që një ekip që mund të kryesojë për 36 javë ta përcaktojë fatin e tij me 1 apo 2 ndeshje teke në fund të sezonit. I gjithë mundi i çdo ekipi kryesues bie poshtë dhe favorizohen ato që pozicionohen në vendin e dytë, të tretë apo të katërt.
Me këtë formule u jepet një shans i dytë për të fituar titullin. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë, por jam i bindur se në fund do të ketë kontestime nga klubet pretendente.