TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Irani po përgatitet të ndërmarrë veprime ushtarake për të thyer bllokadën detare amerikane të Ngushticës së Hormuzit nëse përpjekjet diplomatike për t'i dhënë fund luftës dështojnë.
Kështu raporton Reuters, duke cituar një zyrtar iranian, i cili tha se negociatat midis Teheranit dhe Uashingtonit kanë ngecur sepse Shtetet e Bashkuara refuzojnë të zgjasin marrëveshjen e përkohshme të armëpushimit, e cila skadoi të hënën.
Ndërkohë dhëndri i Trump, Jared Kushner, tha se kontaktet midis Uashingtonit dhe elementëve të ndryshëm të qeverisë iraniane janë intensifikuar.
"Nuk mund të hyj në detaje specifike, por mund të them se diskutimet midis qeverisë amerikane dhe elementëve të ndryshëm të qeverisë iraniane në të gjitha nivelet janë ndoshta më intensive tani se kurrë", siguroi Kushner.
Armëpushimi, i cili skadoi të hënën, më 17 gusht, kishte parashikuar një periudhë 60-ditore për negociimin e një marrëveshjeje përfundimtare. Megjithatë, procesi u përfshi në mosmarrëveshje, veçanërisht për çështjen e kontrollit dhe menaxhimit të Ngushticës së Hormuzit. Ngushtica është një nga korridoret detare më të rëndësishme në botë për transportin energjetik. Një pjesë e konsiderueshme e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm që tregtohet në tregjet ndërkombëtare kalon përmes kësaj rruge.
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se administrata e tij nuk po kërkon zgjatjen e afatit të marrëveshjes, duke shtuar pasigurinë mbi të ardhmen e negociatave. Ndërkohë, mediat amerikane raportojnë për kontakte jozyrtare mes administratës Trump dhe Gardës Revolucionare të Iranit. Sipas Axios, një komunikim amerikan iu përcoll drejtuesve të Gardës përmes një zyrtari kurd irakian, me synimin për të përcaktuar nëse negociatorët iranianë kishin edhe mbështetjen e strukturave ushtarake të Republikës Islamike.
Jared Kushner, dhëndri dhe i dërguari i Trumpit, konfirmoi nga Izraeli se kontaktet mes Uashingtonit dhe Teheranit vazhdojnë, por nuk dha detaje mbi përmbajtjen e tyre.
Në një tjetër zhvillim, Trump ka paralajmëruar ashpër Omanin, aleat tradicional të SHBA-së, lidhur me rolin e tij në negociatat me Iranin. Omani ka zhvilluar bisedime me Teheranin për menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit, duke pretenduar se një marrëveshje dypalëshe është pranë përfundimit.