AKTUALITET, 13 Shtator 2021, 15:30

Policia arreston 33 shoferë, pezullohen 176 patenta gjatë fundjavës

Policia arreston 33 shoferë, pezullohen 176 patenta gjatë

Policia e Shtetit, në kontrollet e shtuara përgjatë fundjavës ka arrestuar në flagrancë 33 drejtues mjetesh, nga të cilët 18 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 15 për drejtim mjeti pa patentë.

Blutë bejne me dije se kanë pezulluar 176 leje drejtimi, nga këto 111 për shpejtësi tej normave të lejuara, deri në 214 km/h në Bypass-in e Fierit, 60 për drejtim mjeti në efektin e alkoolit dhe 5 për qarkullim në sens të kundërt.

Gjithashtu janë ndëshkuar me masë administrative 4123 drejtues mjetesh, për shkelje që janë rrezik potencial për përfshirje në aksidente rrugore.

Nga Policia Rrugore e Tiranës është arrestuar në flagrancë një shtetas, i cili pasi është konstatuar duke drejtuar automjetin, pa vendosur rripin e sigurisë, i ka ofruar një shumë parash shërbimeve policore, me qëllim shmangien e gjobes.

Policia e Shtetit, nisur dhe nga fakti se ka akoma fluks të shtuar në akset rrugore në drejtim të zonave bregdetare dhe në kthim, sidomos në drejtim të Tiranës dhe Morinës, apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve, vendas dhe të huaj, që të zbatojnë me rigorozitet sinjalistikën rrugore.