TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Nga Kristi Pinderi*
Në Partinë Socialiste, në Kuvend, në qeveri, në pothuajse të gjitha agjencitë e shtetit dhe rreth tyre ka gra dhe vajza që janë marrë në mënyrë profesionale me këshillimin, mbrojtjen dhe ri-integrimin e viktimave të dhunës seksuale.
Në një moment, herët ose vonë, njëra nga këto zonja, ose në qeveri ose në Kuvend, do duhet të këshillojë burrat e partisë, që nga sot mund të hidhen në sulm për tu mbrojtur nga një akuzë përdhunimi dhe kërcënim për mbyllje të hetimit, mbi disa elemente të përbashkëta që kanë viktimat e dhunës seksuale: shumica nuk denoncojnë, nuk e raportojnë dhunën ose tërhiqen nga raportimi për shkak të stigmës, frikës dhe pasigurisë; më pak se 20 përqind e viktimave të dhunës seksuale në vendet perëndimore e raportojnë sulmin ndaj tyre; një shifër e papërfillshme janë raportime të pavërteta (në Kanada, për shembull, vetëm 2 përqind e raportimeve për dhunë seksuale janë të tilla); shumica e rasteve janë dhunë seksuale që kryhet nga njerëz të afërt, siç mund të jetë partneri, i dashuri, miku apo shoku.
Jo më kot, denoncimi nga një profesore e psikologjise, sipas së cilës 30 vjet më parë kandidati i Donald Trump për Gjykatën Supreme Brett Kavanaugh kishte tentuar ta përdhunonte jo vetëm që është marrë seriozisht, por gjasat janë që Kavanaugh të mos ulet kurrë në jetën e tij në stolin e gjykatësit suprem.
Mirëpo standarti se si po shqyrtohet në Shqipëri një akuzë për dhunë fizike dhe seksuale nga djali i një deputeti është një standard i frikshëm dhe hipokrit që po e rrethon si korracë këtë skandal, jo për të mbrojtur të vërtetën, por për të mbrojtur partinë nga e vërteta.
“E tërhoqa denoncimin”, thotë denoncuesja, “sepse u sqaruam”.
“A i keni parë ju në komisariat Taulant Ballën, Rrahman Rrahjan dhe Artur Bushin?”, e pyet një gazetar pranë qeverisë denoncuesen.
“Jo”, përgjigjet ajo, “nuk i kam parë”.
Dmth edhe pse e frikësuar, me gjasa e kërcënuar të tërheqë denoncimin e madje të dalë publikisht për të mbrojtur dhunuesin e saj me fjali të shkurtra, shumë herë vetëm me po ose jo, vajza sërish nuk po e mohon as që ka bërë denoncimin e më pas e ka tërhequr, e as që Taulant Balla të ketë shkuar në komisariat, pavarësisht se ajo mund të mos e ketë parë!
Dhe kështu, nga hipokrit dhe i frikshëm, standarti se si ca burra të medias pranë qeverisë dhe deputetë të Kuvendit apo specialistët e PR në qeveri po e trajtojnë çështjen, shdërrohet në imoral, një imoralitet që nuk i ndot më ata vetë, por ndot mbi të gjitha ato gratë e vajzat që përmenda më lart në hyrje të këtij shkrimi e që janë zonja që karrierën politike e kanë nisur duke luftuar, si aktiviste, apo si avokate për të drejtat e grave e duke punuar pikërisht me gra të dhunuara.
Nëse këto zonja (qytetarët e dinë shumë mirë se kush janë) nuk dalin nga sot për të kërkuar një hetim të plotë të pavarur e madje me ekspertizë të huaj të ngjarjes, atëherë ato, për fat të keq, janë njësoj bashkëfajtore me këdo burrë që përdhunon, kërcënon e gjuan me tytën e pistoletës, apo fik cigare në trupin e gruas.
E nëse ndodh kjo, ato vetë mund ta meritojnë të kenë mbi kokë një njeri si Taulant Balla, por ne të tjerët kurrsesi nuk meritojmë të përfaqësohemi nga ato.
*Pinderi është gazetar dhe aktivist për të drejtat e njeriut, që punon dhe jeton në Kanada. Ai është bashkëthemelues i faqes Historia Ime dhe kontributor i rregullt i saj.
historia-ime.com