AKTUALITET, 20 Gusht 2021, 22:48

Ndalimi i efektivit të RENEA-s, SHÇBA: Goditet një rrjet shpërndarësish kokaine, drejtohej nga një punonjës i Forcave Speciale. Ja zonat ku vepronin në Tiranë

Ndalimi i efektivit të RENEA-s, SHÇBA: Goditet një rrjet

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme ka dhënë informacion zyrtar për operacionin antidrogë të zhvilluar mbrëmjen e sotme në Tiranë.

Janë 5 persona të arrestuar, një prej tyre efektiv i RENEA-s që sipas SHÇBA ishin pjesë e një rrjeti shpërndarësish kokaine që vepronte në disa zona në Tiranë. Rrjeti drejtohej nga një punonjës policie i Forcave Speciale.

NJOFTIMI I SHÇBA

SHÇBA godet grupin e shpërndarjes së lëndëve narkotike, deri tani 5 të shoqëruar në kushte flagrance, mes tyre 1 punonjës policie

Në vijim të një procedimi proaktiv nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës dhe me mbështetjen operacionale të DVP Tiranë, është finalizuar operacioni për goditjen e një rrjeti të shpërndarjes së kokainës në qytetin e Tiranës, i cili dyshohet se drejtohej nga një punonjës policie i forcave speciale.

Aktualisht janë të shoqëruar në kushte flagrance me provat materiale (kokainë dhe hashash) 5 shtetas:

Ata janë:

– R.L., 27 vjeç, punonjës policie pranë repartit special RENEA;

– J.L., 30 vjeç;

– G.H., 26 vjeç;

– G.S., 27 vjeç;

– E.S., 26 vjeç.

Aktualisht po vazhdojnë kontrollet e banesave të personave të implikuar.

Grupi vepronte kryesisht në zonën e njohur si “Parku i autobusëve”, Kombinatit, Misto Mame, Yzberisht dhe Qytet të Nxënësve.

Janë sekuestruar lëndë narkotike të dyshuara si kokainë dhe kanabis, para dhe armë.

Operacioni është në vijim e sipër dhe në përfundim të veprimeve do të ketë një njoftim për media.

SHÇBA mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të shkeljes së ligjit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.