AKTUALITET, 7 Mars 2019, 14:30

Meta takon Duncan: Roli i Britanisë, kyç për stabilitetin e Ballkanit

Meta takon Duncan: Roli i Britanisë, kyç për stabilitetin e

Gjatë vizitës së tij në Britaninë e Madhe, Presidenti i Republikës Ilir Meta u prit sot nga Sir Alan Duncan, Ministër për Europën i Britanisë së Madhe.

"Shqipëria beson në angazhimin e domosdoshëm të Britanisë së Madhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor edhe pas Brexit", - theksoi Presidenti Meta, "pasi, vendi juaj ka një rol kyç në këto dekada për forcimin e stabilitetit në Ballkan".

Ministri Duncan dhe Presidenti Meta ndanë qëndrime të njëjta mbi zhvillimet në rajon, progresin historik të Maqedonisë së Veriut si dhe për rëndësinë e dialogut Kosovë-Serbi, që të konkludojë në arritjen e një marrëveshje që do të forcojë stabilitetin dhe të ardhmen europiane të gjithë rajonit.

Ministrin Duncan siguroi Presidentin Meta se Britania e Madhe do vijojë të jetë prezente në Shqipëri dhe në rajon me qëllim të konsolidimit të demokracisë dhe shtetit ligjor.

Duke vlerësuar rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit në fushat e sigurisë, të luftës kundër krimit të organizuar dhe sundimit të ligjit, Presidenti Meta theksoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik e tregtar midis dy vendeve në të ardhmen në nivele më të larta.

Për takimin me Presidentin shqiptar Ilir Meta, Ministri për Europën i Britanisë së Madhe ka hedhur edhe një postim në twiter.

Një kënaqësi të shkëmbesh pikëpamje për Ballkanin perëndimorë me Presidentin e Shqipërisë Ilir Meta. Marrëdhëniet Britani-Shqipëri janë në formë të shkëlqyeshme”, shkruan Alan Duncan.