TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Temperaturat e larta të verës shpesh kthehen në sfidë për organizmin, duke na bërë të ndihemi të lodhur, pa energji dhe të irrituar. Përveç përdorimit të ventilatorëve apo kondicionerëve, disa zakone të përditshme dhe truke të thjeshta mund t’ju ndihmojnë të përballoni më lehtë vapën.
Hidratimi është thelbësor – pini shumë ujë gjatë ditës për të ruajtur temperaturën e trupit në nivele normale. Uji me limon, nenexhik apo kastravec ofron një freskim natyral. Në ditët me vapë ekstreme, mund të vendosni një peshqir të ftohtë në qafë ose të zhysni kyçet në ujë për të ulur menjëherë temperaturën trupore. Një dush i shkurtër me ujë të freskët para gjumit është gjithashtu i dobishëm.
Netët e nxehta janë shpesh problem për gjumin. Zgjidhni çarçafë prej pambuku apo mëndafshi që nuk mbajnë nxehtësi dhe shmangni dyshekët me mbushje sintetike. Gjatë ditës, mbani perdet e mbyllura për të parandaluar futjen e rrezeve të diellit dhe ajrosni dhomën gjatë natës.
Edhe veshja luan rol të madh. Përdorni rroba të lehta, të gjera, me ngjyra të hapura dhe prej materialesh natyrale si pambuku ose liri. Këto ndihmojnë trupin të ruajë freskinë dhe nuk bllokojnë qarkullimin e ajrit.
Ushqimi është një tjetër faktor që ndikon. Preferoni ushqime të lehta, të freskëta dhe me përmbajtje të lartë uji, si sallata, perime të stinës dhe fruta si shalqiri, pjepri apo kastraveci. Shmangni ushqimet e rënda, me shumë yndyrë apo erëza. Lëngjet natyrale dhe akulloret e lehta ndihmojnë në freskim pa ngarkuar organizmin.
Në shtëpi, qëndroni në dhomat më të freskëta, zakonisht ato më të ulëta, pasi ajri i ftohtë grumbullohet më poshtë. Fikni pajisjet elektrike që nuk përdoren, sepse prodhojnë nxehtësi shtesë. Punët e shtëpisë si gatimi apo pastrimi kryejini herët në mëngjes ose në mbrëmje, kur temperaturat janë më të ulëta.
Gjatë orëve më të nxehta të ditës, shmangni daljet dhe aktivitetet fizike intensive. Pushimi, freskimi dhe qëndrimi në ambiente të ajrosura janë mënyra të sigurta për ta përballuar më lehtë vapën përvëluese të verës.