LIFESTYLE, 5 Gusht 2025, 22:38

Shtrohet me urgjencë në spital në Romë regjisori legjendar i Hollivudit, ndodhej në Itali për filmin e fundit

Shtrohet me urgjencë në spital në Romë regjisori legjendar i

Regjisori i famshëm Francis Ford Coppola është shtruar në Poliklinikën Tor Vergata në Romë. Sipas asaj që mëson agjencia ANSA, autori i kryeveprave si Kumbari (Il Padrino) dhe Apokalipsi tani (Apocalypse Now), është pranuar në repart këtë mëngjes.

Coppola, 86 vjeç, ka kaluar një pjesë të verës në Itali, pasi ndodhej në kërkim të lokacioneve për filmin e tij të ri, i cili pritet të nisë xhirimet në vjeshtë.

Në mes të korrikut, ai ishte i ftuar special në hapjen e Festivalit të Filmit Magna Graecia në Soverato, ku u mirëprit me entuziazëm nga një turmë të rinjsh. “Të rinjtë më thonë se bota është në kaos – kishte deklaruar ai atëherë – por unë u them se nuk ka asnjë problem që njeriu nuk mund ta zgjidhë. Duhet të ndërtojmë një të ardhme të re të madhe dhe ta bëjmë së bashku për të mirën e fëmijëve tanë. E sonte bëjmë një hap drejt së ardhmes.”

Pasi fitoi çmime Oscar dhe u bë ikonë e Hollivudit, Coppola vendosi të realizojë një projekt madhor të vetëfinancuar prej 120 milionë dollarësh, titulluar Megalopolis. Filmi ambicioz, që u shfaq në Festivalin e Kanës 2024, ka nxitur debat në rrethet kritike. Projekti do të jetë gjithashtu subjekt i një dokumentari: Megadoc, me regji të Mike Figgis, që do të ketë premierën në Festivalin e Venecias 2025.

Coppola ka një lidhje të ngushtë me Italinë, veçanërisht me Basilicatën. Gjysherit e tij ishin me origjinë nga Bernalda, dhe më 1 maj 1989 ai u shpall qytetar nderi i këtij qyteti, ku shpesh kalon pushimet, duke shfrytëzuar edhe plazhet e afërta të Metapontos. Regjisori ka një projekt për zhvillimin e zonës së Metapontinos dhe ka blerë një pallat të vjetër në Bernalda për ta kthyer në hotel.