TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një nga pronat më të njohura dhe më të përfolura të Silvio Berluskonit ka ndërruar pronar.
Villa Certosa, rezidenca luksoze e ish-kryeministrit italian në Sardenjë, është blerë nga ish-kryeministri dhe ish-ministri i Jashtëm i Katarit, Hamad bin Jasim bin Xhabr Al Thani, për 350 milionë euro. Lajmi është bërë i ditur nga e përditshmja italiane La Repubblica, e cila raportoi se marrëveshja u finalizua rreth një vit pasi familja e Berluskonit vendosi ta nxirrte pronën në treg.
E vendosur përballë Gjirit të Marinelës në Sardenjë, Villa Certosa nuk ishte thjesht një shtëpi pushimi për Berluskonin. Gjatë viteve kur ai drejtoi qeverinë italiane, vila u kthye në një lloj rezidence jozyrtare verore, ku priteshin figura të politikës ndërkombëtare, biznesmenë dhe të ftuar të shumtë.
Megjithatë, emri i saj u lidh ngushtë me festat e famshme “bunga-bunga”, që e bënë pronën të njohur në mbarë botën. Këto mbrëmje u kthyen më pas në qendër të hetimeve që përfshinë Berluskonin dhe rrethin e tij të afërt.
Proceset gjyqësore lidhen me akuza për korrupsion dhe shpërdorim detyre, ndërsa në fokus të çështjes ishin edhe pretendimet për përfshirjen e vajzave të reja në këto aktivitete. Berluskoni u shpall i pafajshëm, por çështja mbeti një nga episodet më të diskutuara të karrierës së tij politike.
Në artikullin e La Repubblica përmendet edhe Nicole Minetti, ish-higjieniste dentare dhe personazh televiziv, e cila u dënua për rolin e saj në sigurimin e grave për këto evente. Emri i saj u rikthye në vëmendje edhe së fundmi në Itali.
Sipas raportimeve, blerja e Villa Certosa është realizuar përmes një kompanie investimi me bazë në Luksemburg, e lidhur me familjen Al Thani. Kjo familje sundon Katarin prej më shumë se 150 vitesh dhe ka zgjeruar ndjeshëm investimet e saj në Itali, veçanërisht në Sardenjë.
Përveç investimeve në turizmin luksoz, familja Al Thani ka interesa edhe në sektorin e shëndetësisë, përfshirë spitalin Mater Olbia, një nga projektet më të njohura në ishull.
Shitja e vilës konsiderohet edhe një tjetër hap në mbylljen e çështjeve financiare të trashëgimisë së Silvio Berluskonit, i cili ndërroi jetë në vitin 2023. Që prej asaj kohe, trashëgimtarët e tij po zbatojnë testamentin dhe po menaxhojnë pasuritë e krijuara gjatë dekadave të aktivitetit në media, biznes dhe politikë.
Mes përfituesve më të mëdhenj të testamentit janë ish-partnerja e tij Marta Façina dhe vëllai Paolo Berluskoni, të cilët kanë përfituar nga 100 milionë euro secili. Shitja e Villa Certosa mbyll kështu një kapitull të lidhur ngushtë me figurën e Berluskonit dhe një prej pronave më simbolike të karrierës së tij politike.