LIFESTYLE, 16 Shkurt 2025, 10:33

Olly rrëmben fitoren, por publiku nuk bie dakord, Festivali i Sanremos arrin rekorde shikueshmërie

Olly rrëmben fitoren, por publiku nuk bie dakord, Festivali i Sanremos

Finalja e Festivalit të Sanremos u mbyll mes polemikave dhe emocioneve të forta.

Fitues i festivalit u shpall Olly, ndërsa Lucio Corsi u rendit i dyti dhe Brunori Sas i treti.

Giorgia, e cila nuk arriti të futet në pesëshen finaliste, u përshëndet me brohoritje nga publiku.

Pas kombinimit të votave nga juria e shtypit, juria e radios dhe televotimi, gjithçka u bë zyrtare: Artisti Olly, emri i vërtetë i të cilit është  Federico Olivieri, është fituesi i “Sanremo 2025”. Me këngën “Balorda Nostalgia”, Olly rrëmben trofeun dhe shkruan emrin e tij përgjithmonë në historinë e “Sanremos”.

Të 29 konkurrentët u ngjitën për herë të fundit në skenë me shpresën për të kaluar në Superfinale. Renditja nga tre netët e para u kombinua me atë të natës finale për të përcaktuar klasifikimin përfundimtar të të gjithë artistëve.

Pesë këngëtarët më të votuar kaluan në një raund tjetër votimi, i cili u nda në tri pjesë: 33% juria e shtypit, 33% juria e radios dhe 34% televotimi, për të përcaktuar fituesin.

Për natën e fundit, krahas prezantuesit të njohur Carlo Conti, bashkë-prezantues ishin Alessia Marcuzzi dhe Alessandro Cattelan, ky i fundit i njohur edhe si një nga tre prezantuesit e “Eurovision 2022” në Torino.

Marcuzzi, e veshur me një fustan të zi që i zbulonte shpinën, u shfaq me një hyrje teatrale, ndërsa Cattelan, i veshur krejtësisht me të bardha, i dha skenës një prekje të viteve ‘90, duke rikthyer kujtimet e Piero Chiambrettit në festivalin e 1997-s.

Të tre së bashku sollën një spektakël të mrekullueshëm, duke mbyllur në mënyrën më të bukur këtë edicion të festivalit legjendar.

A do të shkojë Olly në Eurovision 2025?

Olly ka opsionin për të përfaqësuar Italinë në “Eurovision Song Contest 2025”. Nëse ai refuzon, nënkampioni, Lucio Corsi do të ketë opsionin të jetë përfaqësuesi italian në Bazel.

Përjashtimi i Achille Lauros, që përfundoi në vendin e shtatë, shkaktoi reagime të ashpra për publikun. Festivali arriti një shikueshmëri rekord prej 70.8%, një shifër spektakolare.

Gara u hap nga Francesca Michielin, e cila, pavarësisht një dëmtimi në kyç, sfidoi gjithçka me taka 12 cm. Lotët nuk munguan: e emocionuar, ajo falënderoi të ëmën në sallë. Në të njëjtën linjë, Rocco Hunt këndoi “Mille vote ancora”, duke iu drejtuar nënës së tij mes publikut, e cila nuk i mbajti dot emocionet. Edhe Olly, pasi interpretoi “Balorda nostalgia”, nuk harroi të thoshte: “Faleminderit, mama!”.