LIFESTYLE, 27 Maj 2026, 14:50

“Mendova se do të vdisja”- Penélope Cruz rrëfen një nga përvojat më të frikshme të jetës së saj

“Mendova se do të vdisja”- Penélope Cruz rrëfen

Aktorja e njohur spanjolle Penélope Cruz ka zbuluar një nga përvojat më të frikshme të jetës së saj, kur në moshën 27-vjeçare iu komunikua dyshimi për një aneurizëm në tru.

Në një intervistë të fundit për revistën Elle, Cruz tregoi se gjithçka ndodhi papritur, kur mjeku e telefonoi ndërsa ndodhej në një sallon parukerie, pas një ekzaminimi rutinë. Sipas saj, ai i kishte kërkuar urgjentisht kryerjen e një rezonance magnetike të trurit, pasi rezultatet e para ngjallnin dyshime për aneurizëm.

“Një dridhje më përshkoi gjithë trupin. Mendova se do të vdisja. Më duhej të prisja tre ditë për ekzaminimin,” ka kujtuar aktorja.

Fatmirësisht, rezultatet përfundimtare rezultuan negative, duke treguar se bëhej fjalë për një alarm të rremë dhe se gjendja e saj shëndetësore ishte e mirë.

Një aneurizëm në tru është një zgjerim i një ene gjaku në tru dhe në shumicën e rasteve nuk shfaq simptoma. Rreziku më i madh ndodh kur ajo çahet, çka mund të shkaktojë hemorragji cerebrale. Simptomat më të zakonshme në rast këputjeje përfshijnë një dhimbje koke të papritur dhe shumë të fortë, të përshkruar shpesh si “dhimbja më e keqe e jetës”, si dhe të përziera, të vjella, ngurtësim të qafës apo humbje të vetëdijes.

Cruz pranoi se kjo përvojë i ndryshoi mënyrën e të menduarit për jetën dhe shëndetin, duke e bërë më të vetëdijshme për prioritetet e saj, pasi deri atëherë kishte qenë e përqendruar kryesisht në punë dhe ritmin e shpejtë të karrierës.

Ajo foli gjithashtu për jetën e saj personale, përfshirë marrëdhënien me bashkëshortin e saj, aktorin Javier Bardem, dhe fëmijët e tyre, duke reflektuar mbi ekuilibrin mes familjes dhe profesionit.