LIFESTYLE, 15 Korrik 2025, 20:43

Helicobacter pylori, infeksioni i fshehtë që mund të çojë në sëmundje serioze, si ta dalloni dhe ta parandaloni

Helicobacter pylori, infeksioni i fshehtë që mund të

Helicobacter pylori është një bakter i përhapur që mund të shkaktojë probleme serioze nëse nuk trajtohet. Ai jeton në stomak dhe shpesh transmetohet përmes duarve të papastra, ushqimit të palarë mirë, ujit të ndotur apo kontaktit të afërt me persona të infektuar. Mund të gjendet edhe në zmaltin e dhëmbëve dhe madje tek lotët. Edhe kafshët shtëpiake mund ta përhapin.

Shenjat më të zakonshme të infeksionit janë fryrja pas ngrënies, ngopja e hershme, dhimbje në pjesën e sipërme të barkut, rënie e pashpjegueshme në peshë, të vjella të shpeshta apo me gjak, si dhe jashtëqitje e zezë. Edhe gromësimat e shumta mund të jenë një shenjë. Shumë njerëz nuk kanë simptoma për një kohë të gjatë, por mund të përhapin infeksionin tek të tjerët.

Nëse nuk trajtohet, infeksioni mund të çojë në gastrit kronik, ulçerë dhe në disa raste edhe në kancer të stomakut.

Për t’u mbrojtur, është e rëndësishme të mbahet higjiena personale, të lahen mirë duart dhe ushqimi, dhe të përdoret ujë i sigurt për konsum.

Para se të bëni një kontroll për Helicobacter pylori, duhet të ndaloni disa ilaçe për aciditetin e stomakut për të paktën dy javë, që rezultati të mos dalë i gabuar. Gjatë trajtimit me antibiotikë, këshillohet që të mos pini duhan, sepse zvogëlon efektin e kurës.

Nëse dikush në familje është infektuar, ka gjasa që edhe të tjerët të jenë prekur, ndaj është mirë të kontrollohen të gjithë. Lajmi i mirë është se infeksioni trajtohet lehtësisht nëse zbulohet në kohë.