LIFESTYLE, 13 Maj 2025, 20:41

Aktori i njohur francez shpallet fajtor për ngacmim seksual në sheshxhirim

Aktori i njohur francez shpallet fajtor për ngacmim seksual në

Ylli francez i kinematografisë, Gerard Depardieu u dënua sot me 18 muaj burg me kusht, pasi një gjykatë në Paris e shpalli fajtor për ngacmim seksual ndaj dy grave në sheshxhirim në vitin 2021.

Aktori, i cili i mohoi akuzat dhe nuk ishte i pranishëm kur u dha vendimi, do të shtohet në regjistrin francez të abuzuesve seksualë.

Vendimi nuk është përfundimtar. Avokati i Depardieu, Jeremie Assous, tha se do të paraqiste një apel kundër vendimit.

Dy gra akuzuan 76-vjeçarin për akte të turpshme dhe prekjen e tyre në mënyrë të papërshtatshme gjatë xhirimeve të filmit “Les Volets Verts” (Qepenat e Gjelbra) me regji të Jean Becker, në vitin 2021.

Paditëset janë një dekoruese dhe një asistente regjisore.

Gjatë seancave gjyqësore, aktori e portretizoi veten si viktimë të akuzave të rreme, megjithëse pranoi në gjykatë se kishte prekur njërën nga gratë nën shpinë, duke këmbëngulur se nuk kishte qëllim seksual.