AKTUALITET, 1 Qershor 2021, 09:09

Ishte dënuar me 24 vite burg për drogë në Itali, arrestohet në Tiranë 45 vjeçari

Ishte dënuar me 24 vite burg për drogë në Itali, arrestohet

Një 45-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritet italiane është vënë në pranga në Tiranë.

Në kuadër të operacionit të koduar “Alias” u vu në pranga shtetasi Rajmond Hoxhaj alias Eduard Dhamo, i cili është dënuar nga drejtësia italiane me 24 vite burg për trafik droge.

Operacioni u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, Fast Albania dhe Interpol Tirana dhe pas procedurave shqiptari do të ekstradohet në Itali.

Njoftimi i policisë:

“Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Seksioni i Kërkimit, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, Forcën e Posaçme “Shqiponjat”, Fast Albania dhe Interpol Tirana, zhvilluan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Alias”, në kuadër të të cilit u bë i mundur lokalizimi në sheshin “Rilindja”, kapja dhe arrestimi i përkohshëm, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, i shtetasit Rajmond Hoxhaj alias Eduard Dhamo, 45 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Milanos/Itali e ka dënuar me 24 vite burg për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim”.