IDE, 5 Shtator 2017, 18:54

Ish-deputeti demokrat: Basha u vetë-ngri dhe eci në gjurmët e Ramës

Ish-deputeti demokrat: Basha u vetë-ngri dhe eci në gjurmët e

Kritika të ashpra janë adresuar sot në drejtim të kreut të PD-së, nga ish deputeti i kësaj partie.

Sherefedin Shehu me anë të një statusi në faqen e tij në facebook ka komentuar zgjedhjet në Akademinë e Shkencave, por ka shkuar edhe më tej kur ka akuzuar kreun aktual të partisë së tij se ka ndjekur të njëjtin shembull si Rama me zgjedhjet në partinë e tij. Ndërsa nuk lë pa goditur dhe kritikuar edhe gjendjen ku ndodhet PD sot, duke shkuar edhe më tej, Shehu shprehet se edhe Partia Demokratike po instalon të njëjtin sistem zgjedhjesh. Statusi i plotë Kur Ne Nuk Bëjmë Zgjedhje Në Parti Dhe Në Qeveri, Atëherë Si Mund Të Bëjmë Në Akademi? Është për të ardhur keq që zgjedhjet u bënë farsë edhe në kryeinstitucionin e shkencës. Me sa duket edhe shkenca nuk mund të bëjë përjashtim nga farsat zgjedhore që ne bëjmë në Parti dhe në Qeveri. Me një mungesë totale përgjegjësie, Kryeministri Rama u hakërrye, jo për farsën por për mospërfilljen, dhe deklaroi se tani nuk do t’i japë asnjë lek Akademisë së Shkencave, thua se ai i ka lekët në xhep dhe mund ti japë vetëm tij që do ai. Në vend të kësaj deklarate boshe, Rama duhet të mbajë përgjegjësinë për farsën sepse edhe Akademia zbatoi modelin e zgjedhjeve që ai vetë e instaloi. Le të kujtojmë vitin 2005 kur, ditën e parë të zgjedhjeve në PS, Ramës, si kandidat, i dështoi modeli që propozoi për zgjedhjen e Kryetarit dhe në vend që të dorëhiqej “me punë dhe përpjekje” arriti që ditën e dytë të zgjidhej Kryetar. Në 2009, humbi zgjedhjet, u dorëhoq me të drejtë ri kandidimi dhe, megjithëse humbës, korri një fitore plebishitare kundër kandidatit tjetër Maqo Lakrori. Ndërsa kur i mbaroi mandati në 2013, ndonëse Kryeministër, kishte frikë se mos e turpërontë Ben Blushi dhe vendosi të mos bëjë zgjedhje fare dhe sot vazhdon të jetë Kryetar i PS. Këtë model po e shtrin edhe në zgjedhjet qeveritare ku rezultati paracaktohet me marrëveshje para zgjedhjeve dhe në ditën kur kutia mbushet me vota vetëm çertifikohet. Edhe në PD po instalohet sistemi i PS. Por, ndryshe nga Rama i vitit 2013, Basha u vetë-ngri dhe eci në gjurmët e Ramës gjysmë të përparuar të vitit 2009, duke emëruar Eduard Selamin si kandidat alternativ dhe arritur një fitore plebishitare kundër tij. Por ama Basha është i ndërgjegjshëm që ne nuk bëjmë zgjedhje por farsa dhe u tregua i sinqertë duke mos thënë asnjë fjalë për farsën e zgjedhjeve në Akademinë e Shkencave. Ky është një alarm i madh, dhe profesorët, shkencëtarët dhe ndonjë civil nga shoqëria, që mund të ketë mbetur pa u njollosur akoma, duhet të bërtasin me të madhe. Mos prisni që këtë ta bëjë politika, përfshirë edhe mua që po ju jap mend, sepse duhej të kisha folur më heret. Prandaj të dashur profesorë, shkencëtarë dhe akademikë i dilni zot vetes.