TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Zjarri apokaliptik që shkaktoi të paktën 40 të vdekur dhe mbi 100 të plagosur në nisje të vitit 2026 në resortin e skive në Crans Montana të Zvicrës, tani ka një autor të dyshuar si përgjegjës pas hekurave.
Autoritetet njoftuan arrestimin e pronarit të barit luksoz në Crans-Montana, Jacques Moretti, pasi u konsiderua se rrezikonte të largohej jashtë vendit.
Ndalimi u kërkua nga prokurori i qytetit të Sionit, pas një seance të gjerë dëgjimore të premten në mëngjes. Ky vendim pritet të konfirmohet nga gjykata kompetente e Valais.
Në ditët pas zjarrit vdekjeprurës në barin Le Constellation ditën e Vitit të Ri, zyra e prokurorit të Valais fillimisht kishte përjashtuar mundësinë e një arrestimi, duke përmendur faktin se nuk kishte rrezik arratisjeje për Jacques Moretti dhe gruan e tij.
Megjithatë, zhvillimi i ri tregon se situata ka ndryshuar dhe ndalimi u konsiderua i nevojshëm.
Ndërsa po largohej nga zyra e prokurorit, gruaja e Morettit, Jessica, foli me gazetarët e përlotur, duke u kërkuar falje familjeve të viktimave.
“Mendimet e mia janë me viktimat dhe njerëzit që po përpiqen të shërohen. Është një tragjedi e paimagjinueshme. Nuk mund ta imagjinonim kurrë këtë. Ndodhi në dyqanin tonë dhe dua të kërkoj falje”, tha ajo.
Më herët sot, Jacques dhe Jessica Moretti, të cilët u arrestuan nga prokurorët zviceranë pa iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, po hetohen nën dyshimin për krime, përfshirë vrasjen e paqëllimshme, ndërsa familjet e viktimave kanë ngritur padi te prokurorët zviceranë për zjarrin në barin Le Constellation.
Çifti ka shprehur keqardhjen e tyre për zjarrin dhe tha se do të bashkëpunojnë plotësisht me hetimin. Të paktën 40 persona vdiqën në zjarr dhe 116 u plagosën, shumë prej tyre rëndë.
“Jemi të shkatërruar, mendimet tona janë vazhdimisht me viktimat, të dashurit e tyre që i humbën ata kaq dhunshëm dhe kaq para kohe dhe me të gjithë ata që luftojnë për jetën e tyre”, thanë ata në një deklaratë më 6 janar.
Shkaku i zjarrit ishte aksidental, pas një pakujdesie gjatë festimeve me fishekzjarrë brenda ambienteve nga të pranishmit, kryesisht turistë të kombësive të ndryshme dhe zviceranë, ku shkëndija ra në kontakt me shishet e shampanjës që shpërthyen dhe më tej lënda e djegshme shkatërroi gjithçka dhe shkaktoi katastrofën tragjike.
Një tjetër faktor ishin ambientet e izoluara, mosfunksionimi i daljes së emergjencës dhe përbërja e rrethimit të lokalit me xham të ndezshëm.